Kosova

Me dorën në zemër, Haradinaj takon prindërit e Hashim Thaçit: Besoj ne pafajësinë e tij

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë një lëvizje të beftë. Përmes një postimi në Facebook ai ka njoftuar se ka vizituar familjen e Hashim Thaçit.

Përmes një blloku fotosh, Haradinaj shkruan se përtej dallimeve politike, ai besoj se Hashim Thaçi është i pastër.

“Kisha nderin që me bashkëpunëtorë, ta vizitoj familjen e Haxhi dhe Hyre Thaçit, prindërit e Presidentit Hashim Thaçi.

Njëherësh për ta kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.

Themeli i lirisë dhe Shtetit të Kosovës është Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari.

Luftë më të drejtë, më të pastër e më fisnike, për çlirim nga pushtimi i egër millosheviqian, nuk do të njohë asnjëherë njerëzimi.

Përtej dallimeve politike, unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare, pastërtinë e luftës sonë dhe pafajësinë e të gjithë bashkëluftëtarëve, në këtë rrafsh edhe të Hashim Thaçit!”, shkruan Haradinaj, duke përcjellë edhe disa foto ku një grup burrash janë ulur në një tryezë me prindërit e Thaçit, duke vënë disa herë dorën në zemër, një shenjë për një bisede të sinqertë mes palëve

Hashim Thaçi, ish- drejtuesi politik i UÇK-së, vijon të jetë në paraburgim në Hagë, qyshkur dha dorëheqjen si president i Kosovës dhe u dorëzua në gjykatë, pas konfirmimit të një aktakuze që e akuzonte atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë