Irena Beqiraj
Me çfarë dëgjojmë, lum si ne, me arsimin e lartë që kemi, mjerë ne!

Znj. Manastirliu dje na njoftoi që me anë të procesit të ndërkombëtarizimit "synojmë që deri në 2030, Shqipëria të jetë pikë reference në rajon për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor."
Ndërsa sot jemi:
1)Vendi i fundit në rajon në indeksin që mat krijimin edhe shpërndarjen e dijes: Serbia është në vendin 55, Mali i Zi është në vendin 60, Maqedonia e Veriut në vendin 66, Bosnje Hercegovina në vendin 70, edhe Shqipëria në vendin e 84 .
2) Ndërkohë që Universiteti i Tiranës renditet i 667-i pra në fund të rankimit ndërkombëtar, 3 fakultetet më të mira në rajon ndodhen në Serbi,
3) Është pikërisht atrofizimi i dhimbshëm i arsimit të lartë, një nga shtysat kryesore të emigracionit të të rinjve ku 79% e maturantëve duan të studiojnë jashtë. Që prej 2013 është dyfishuar numri i studentëve shqiptarë që kanë braktisur universitetet shqiptare.
Në katastrofën aktuale të arsimit të lartë vështirë ose thuajse e pamundur që në 2030 të ndodhë që të jemi pikë reference.Për më tepër dikush duhet t’i shpjegojë ministres që cilësia e arsimit të lartë edhe aq më tepër shndërrimi në pikë reference për kërkimin shkencor nuk është çështje kurrikulash që mund të përmirësohen me anë të ndërkombëtarizimit madje nuk do nguroja të thoja nuk është as vetëm çështje fondesh.
Kjo është një çështje me komplekse që ka lidhje me ngritjen edhe funksionimin e sistemeve kombëtare të krijimit edhe shpërndarjes së dijes. Sisteme këto që për fatin e keq të ministres është e pamundur të importohen, apo te merren "copy paste" nga ndërkombëtarët.
Po nuk mësoi këtë ministrja e arsimit, shqiptarëve të zënë tanimë nën thundrën e rëndë të paditurisë, është e destinuar t'ju ofrojë vetëm gënjeshtra të dobishme që qetësojnë si morfina dhimbjet e padijes .
E pra e nderuar ministre kur dëgjojmë ty lum si ne, me arsimin e lartë që kemi mjerë ne!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.