Kombetarja

‘Me Çekinë, ndeshja më e dobët e dy viteve të fundit’ / Strakosha e Fetai: Luajmë dy finale në shtëpi

Nga Gazeta Si- Në prag të grumbullimit të ekipit kombëtar që nis sot, për dy ndeshjet e vlefshme për Nations League ndaj Çekisë (16 nëntor ora 20:45) dhe Ukrainës (19 nëntor 20:45), portieri Thomas Strakosha dhe mesfushori Feta Fetai dolën këtë të hënë në një konferencë për media nga stadiumi ‘Air Albania’.

Feta Fetai, mesfushori i afruar për herë të dytë në ekipin kombëtar nga trajneri Silvinjo u shpreh i gatshëm për të dhënë maksimumin ndërsa nënvizoi se ekipi e ka pritur shumë mirë së bashku me stafin teknik.

I pyetur nëse mendon se do të ketë minuta, ai tha se nuk e di ende por nëse do të ketë,  do të japë maksimumin.

“Nga ana e trajnerit, stafit teknik edhe lojtarët më kanë pritur shumë mirë. Më kanë dhënë besimin e duhur për të dhënë më të mirën. Sa i përket të ardhmes nëse do të jem epiqendra e ekipit, shpresoj të jem një prej tyre. Skuadra më ka pritur shumë mirë, së bashku me stafin teknik”, tha Fetai, duke shtuar se ëndrra e tij është që të luajë në Europian ose botëror.

Duke folur edhe për krahasimin që i është bërë me Luka Modriç, Fetai tha se “Modriçin e preferoj shumë si lojtar. Sa i përket lojtarëve shqiptarë, ka shumë që i preferoj si Asllani, Ramadani”.

Pyetjes nëse ndaj Çekisë, do të donte të shënonte si Modriç apo të shënonte si ai, Fetai iu përgjigj duke thënë se do të donte të dyja.

“Rëndësi ka fitorja, nuk ka rëndësi se kush shënon apo asiston”.

Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha është gati për dy sfidat e radhës në Ligën e Kombeve përballë Republikës Çeke dhe Ukrainës në “Arenën Kombëtare”.

Portieri i vlerëson si dy finale ndeshjet ndaj Çekisë dhe Ukrainës, ndërsa u shpreh se vetëm të përqendruar ekipi mund t’ia dalë dhe të sigurojë vendin e parë në grup. Strakosha theksoi gjithashtu se mbështetja e tifozëve shqiptarë do të jetë një motiv shtesë për ta.

“Besoj në Çeki ndoshta kemi luajtur ndeshjen më të keqe në dy vitet e fundit. Nuk u futëm në fushë siç duhet. Pësuam gol në minutat e para. Nuk luajtëm mirë në 20 minutat e para, pra vetëm më mirë duhet të bëjmë se më keq jo. Duhet të përqendrohemi më shumë dhe të futemi mirë në fushë që në minutat e para. Kemi dy finale në shtëpi, kemi publikun tonë edhe mendoj që jemi të gjithë të përgatitur mirë. Kemi mungesa apo jo, do të japim maksimumin dhe do t’ia dalim”, tha Strakosha.

Ai foli edhe për shitjen e gjithë biletave, duke thënë se për çdo futbollist është motivim kur e ke stadiumin plot.

“Na jep zemër për të luajtur mirë. Është diçka shumë e bukur për ne dhe çdo shqiptar”.

Ai tha se ndeshja me çekët është “finalja” e parë që duhet fituar, në mënyrë për të arritur objektivat.

“Vijmë nga një Europian i mirë. Kemi dy finale në shtëpi, kemi publikun që na përkrah. Duhet të japim maksimumin. Ndeshja e parë me Çekinë është më e rëndësishmja, sepse çfarë ndodh me Ukrainën duhet parë pas”, tha Strakosha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë