Ne rrjet

‘Me bomba në Venezuelë’! Nicolás Maduro: Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin tentoi të sabotojë zgjedhjet

Gazeta Si – Në një fjalim televiziv kombëtar, presidenti venezuelian Nicolás Maduro e lidhi mafien shqiptare me një plan për të “sabotuar” zgjedhjet rajonale dhe legjislative të planifikuara për të dielën e ardhshme në Venezuelë.

“Tani janë arrestuar 38 mercenarë të rinj. Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin dërgoi disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Ata janë kapur. Po, mafia shqiptare, ne i kemi kapur. Tre nga telefonat e tyre u sekuestruan dhe ata po flasin”, tha Maduro në televizion.

Sipas Maduros, dërgimi i supozuar i mercenarëve u shkaktua nga vizita e prillit në Ekuador e biznesmenit dhe ish-oficerit ushtarak amerikan, Erik Prince, themelues i kompanisë private “Blackwater”.

“Nëse Erik Prince është atje, perandoria amerikane është atje,” theksoi Maduro, pa paraqitur asnjë provë për pretendimet e tij.

Teksti i transkriptuar nga Presidenca venezueliane ndërkohë thotë: “Përballë kërcënimeve të reja: Votoni po, plumbat jo! Më 19 maj, Presidenti Nicolas Maduro denoncoi çmontimin në Venezuelë të një komploti sabotimi kundër zgjedhjeve të 25 majit të lidhur me mafien shqiptare, Daniel Noboa në Ekuador dhe Erik Prince në Shtetet e Bashkuara”.

Në takimin, të mbajtur në Sallën Simon Bolivar, morën pjesë edhe Zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez dhe Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino Lopez, ndër përfaqësues të tjerë të forcave të sigurisë.

Më parë, më 19 maj, qeveria e Venezuelës urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të të gjitha fluturimeve nga Kolumbia, pas paralajmërimeve për një plan të supozuar konspirativ që synonte destabilizimin e zgjedhjeve të ardhshme rajonale dhe legjislative, të planifikuara për 25 maj 2025.

Vendimi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm vendas, Diosdado Cabello, i cili deklaroi se masa synon të parandalojë hyrjen e individëve të lidhur me aktivitete terroriste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë