Euro 2020

Me Belgjikën gjykon slloveni i arrestuar vjet, në Itali ka dyshime

Caktimi i Sllavko Vinçiç për të gjykuar ndeshjen Belgjikë-Itali në Mynih tingëllon pak i çuditshëm për italianët, të cilët kanë ngritur dyshime. Jo për problemet me drejtësinë që ka pasur në Bosnjë Hercegovinë, nga ku doli i pastër një vit më parë. As për rastësinë e çuditshme të një arbitri të lindur në Maribor, bashkombas me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin. Ndoshta ka lidhje Super Liga sërish, lufta për pushtetin dhe hakmarrja e tërthortë.

Dyshimet lindin më shumë nga numri i ndeshjeve që i janë besuar në këtë Europian sllovenit. Një Spanjë-Suedi modeste dhe një Zvicër-Turqi, ku pati një episod me Granit Xhakën. Duket pak për të gjykuar një çerekfinale të një niveli kaq të lartë. Çerekfinalja tjetër mes Zvicrës dhe Spanjës i është besuar anglezit Oliver, edhe ai me 2 ndeshje deri tani. Ka një lloj rreziku në letër, që mbetet për t’u parë.

Sllavko Vinçiç. Gazeta Si, 1 korrik 2021

Në 2020-ën Vinçiç ka qenë protagonist pa dashje në një ngjarje policore. Gjatë një udhëtimi pune ai ishte i ftuar në një festë në Suho Polje, një vend i vogël pranë Bjeljinës në Bosnjë. Në atë festë policia arrestoi 35 persona me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, trafik armësh dhe prostitucion. Mes tyre edhe Vinçiç, i cili në kommisariat shpjegoi se nuk kishte fare lidhje me të tjerët, se ishte për punë në atë vend dhe do të kthehej në shtëpi.

“Ishte gabimi më i madh i jetës”, - ka thënë më pas arbitri slloven, duke shpjeguar pjesëmarren në atë festë. Ai doli i pastër, nuk ka asnjë akuzë që rëndon mbi të, por lajmi ka mbetur dhe rishfaqet sa herë që emri i tij përmendet. Dhe në Itali shpresojnë shumë që ky rast të jetë i izoluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë