Ka ndodhur

Me armë zjarri në makinë/ Arrestohet 19-vjeçari në Durrës, në kërkim shoferi

Nga Gazeta Si – Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Durrës, ndërsa një tjetër është në kërkim pasi u kapën me armë zjarri në makinë.

Policia bën me dije se dy të rinjtë po qarkullonin me armë zjarri në makinën tip “Ford” nga Manza drejt Durrësit.

Në momentin që janë pikasur nga forcat policore, shoferi i automjetit ka shtuar shpejtësinë e automjetit duke rrezikuar dhe jetën e punonjësve të policisë.

Policia thotë se është arrestuar në flagrancë shtetasi O. V., 19 vjeç (pasagjer). Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi A. A., 32 vjeç, banues në Manzë, i cili mundi të largohej duke përfituar nga errësira.

Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e drejtuesit të automjetit me iniciale A. A.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Moskallëzimi i krimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë