Financa Personale

Me apo pa koronavirus, shumica e shqiptarëve nuk kanë mundësi të pushojnë jashtë shtëpisë

Po ashtu edhe 29% e europianëve nuk mund të përballojnë pushime një javore jashtë shtëpisë

Situata e koronavirusit nuk ka ndryshuar ndonjë gjë të madhe në lidhje me pushimet për ata individë që nuk kanë mundur t'i përballojnë ato edhe në kohë të qeta.

64% e shqiptarëve dhe 29% e europianëve nuk kanë mundur të bëjnë gjatë 2019-s pushime njëjavore larg vendbanimit.

Pyetjes “A jeni përballur me paaftësi për të përballuar të paktën një javë pushime larg nga shtëpia (nëse doni) gjatë 12 muajve të kaluar” - në publikimin e Barometrit të Ballkanit - 64% e shqiptarëve i janë përgjigjur "Po". Kjo është përqindja më e larta në rajon; Mali i Zi (48%), Maqedonia e Veriut (46%), Serbia (40%), Bosnjë-Hercegovina (35%).

Në rajon, më mirë i përballojnë pushimet shtetasit kosovarë; vetëm 28% e totalit thonë se nuk bëjnë dot pushime.

Kurse sipas raportimit të Eurostat, gjatë vitit të kaluar, 29% e qytetarëve të shteteve anëtare të BE-së të moshës 16 vjeç e sipër, nuk ishin në gjendje të përballonin për të paguar pushime njëjavore larg shtëpisë. Përqindja është ulur gradualisht që nga viti 2010, kur 39% e europianëve nuk mund të përballonin të bënin një javë pushime larg shtëpisë së tyre. Sidoqoftë, për shkak të bllokimeve dhe mbylljes së kufijve të zbatuar në të gjithë botën në vitin 2020 për të ngadalësuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit, kjo prirje rënëse ka të ngjarë të ndalojë në vitin 2020.

Midis shteteve anëtare të BE-së, Rumania regjistroi pjesën më të lartë të individëve në këtë situatë, me shumicën e rumunëve (54%) të paaftë për të përballuar një pushim vjetor një javor në vitin 2019. Qytetarët e Greqisë rezultuan të dytët, me 49% që nuk ishin në gjendje për të marrë një pushim njëjavor larg shtëpisë, e ndjekur nga Kroacia (48%), Qipro (45%) dhe Italia (44%).

Suedezët janë ata që kanë pjesën më të vogël të njerëzve që nuk mund të pushojnë një javë në vit, vetëm 10% e njerëzve në Suedi nuk ishin në gjendje të përballonin pushime njëjavore, e ndjekur nga Danimarka dhe Luksemburgu (të dyja 11%), Finlanda (12%), Gjermania dhe Austria (të dyja 13%).

Krahasuar me vitin 2010, përqindja e njerëzve që nuk ishin në gjendje të përballonin një pushim njëjavor larg shtëpisë çdo vit, u zvogëlua në të gjitha shtetet anëtare, me përjashtim të Italisë dhe Greqisë, ku ajo u rrit përkatësisht me 4 pikë përqindjeje (pp) dhe 3 pp. Uljet më të mëdha u regjistruan në Letoni (-35 pp.), Maltë (-30pp.), Bullgari dhe Poloni (të dyja -27 pp.) dhe Estoni (-26 pp.)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë