Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi ka rrëzuar vetëm me votat e mazhorancës kërkesën e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kreut të parlamentit Niko Peleshi.
79 deputetë votuan kundër kërkesës, 10 vota pro dhe nuk kishte asnjë abstenim.

Ajo që bie në sy është fakti se nga ministrat e qeverisë Rama kanë votuar pro, Mirela Kumbaro, Piro Vengu, Albana Koçiu, Belinda Balluku,Petrit Malaj Delina Ibrahimaj, Evin Demo dhe Blendi Gonxhe.

Votimi u bë në mënyrë të fshehtë ndërsa PD-ja, që vetë e inicioi këtë proces, nuk mori pjesë.
Demokratët kërkonin shkarkimin me pretendimin se ka kryer 5 shkelje të rënda të rregullores dhe i përqendruan argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.
Ivi Kaso, në emër të PD-së, tha se ata nuk po kërkojnë ndëshkimin e një personi, por kthimin e Kuvendit në standartet institucionale.
Sipas tij, kjo kërkesë është një thirrje për përpjekje të përbashkëta, për të ndaluar rrëshkitjen e institucionit në një “institucion të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët”.
Ndërsa Peleshi, në fjalën që mbajti, para votimit, akuzoi opozitën për përçarje. Ai hodhi poshtë akuzat se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.
“Do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë”, tha Peleshi.
Socialisti Damian Gjiknuri, nga ana e tij, shtoi se Peleshi thjesht ka mbrojtur rendin kushtetues ndërsa në seancë ka mbizotëruar kaosi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



