Ka ndodhur

Me 331 mijë euro të fshehura në makinën ‘Benz’, arrestohet 36-vjeçari në Muriqan. Rasti i dytë në 3 ditë

Gazeta Si - Një 36-vjeçar ka rënë në pranga dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë në pikën kufitare në Muriqan, duke shënuar rastin e dytë brenda 3 ditësh, pasi një 51-vjeçar u ndalua nga policia kur tentoi të fuste 680.595 euro.

Përmes një njoftimi, policia bën të ditur se në automjetin e tyre tip ‘Mercedes Benz’, në dy hapësira të modifikuara (në pjesën e tavanit dhe të bagazhit të automjetit), u gjetën 331.000 euro, që këta shtetas po tentonin t’i futnin ilegalisht në Shqipëri.  

Sipas burimeve, bëhet me dije se shtetasi i arrestuar është Fadil Halmusaj. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë. 

Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave, ndërkohë materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Tre ditë më parë, po në Muriqan, një 51-vjeçar u arrestua, pasi tentoi të fuste në Shqipëri përmes doganës së Muriqanit 680.595 euro, të cilat u sekuestruan nga policia.

Paratë e padeklaruara ishin fshehur në dy ndarje anësore të modifikuara në dyert e një furgoni që drejtohej nga 51-vjeçari L.N. nga Fushë-Miloti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë