Politike

Më 3 mars vendimi për fatin e PD/ Berisha e Meta i bëjnë “presion” gjykatës me protestë

Megjithëse vetë Sali Berisha e mohoi se do të kishte lidhje me vendimin e gjykatës që më 3 mars do të vendosë për vulën e Partisë Demokratike, protesta e thirrur nga opozita në këtë datë duket një presion i hapur ndaj gjyqësorit. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Berisha me menjëherë më pas Ilir Meta, u shprehën se ajo e 3 marsit do të jetë një protestë epike, ndërsa artikuluan akuza ndaj Edi Ramës se jep urdhra për gjyqtarët.

“U bëj thirrje shqiptarëve të programojnë të gjithë axhendën me datën 3 mars, do të jenë në Tiranë në një protestë epike për nga përmasat. Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim. PD e ka vendimin e gjykatës. Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Nuk ka gjykatë, pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin e Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse përmbyset sistemi i drejtësisë nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë, t’i hapë rrugën e rrëzimit të çdo vendimi gjyqësor me urdhra politikë. Objektivi ynë është Edi Rama, ky është një armik i egër që po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij, pasi ka kryer vepra të tmerrshme, akte të pabesisë ekstreme ndaj SHBA, NATO-s, sigurisë së tyre, por edhe akte antikushtetuese ndaj demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri,” tha Berisha.

Vetëm pak minuta më pas, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se janë në solidaritet të plotë me Partinë Demokratike dhe protestën e thirrur prej saj më 3 mars. Meta tha se protesta do të vërë në shënjestër atë që ai e cilësoi si “drejtësia e Surrelit” apo “Ramaforma”.

“Çështja e PD-së nuk është çështje e demokratëve, është çështje e vetë demokracisë, e pluralizmit politik, e shpartallimit të grushtit të shtetit, që është një proces i nisur shumë herët prej asaj që e kemi shpjeguar, “Ramaforma”. “Ramaforma” është drejtësia e Surrelit dhe drejtësia e Surrelit urdhëron atë kancelaren e gjykatës, që mori vendimin gjykatësi, shumë të argumentuar dhe që e keni parë dhe ju publik, që të mos regjistrojë vendimin e gjykatësit në regjistër. Kjo është “Drejtësia e Surrelit”! Shqiptarët në datën 3 mars duhet të japin një mesazh të qartë të gjithë gjykatësve, të gjithë prokurorëve, të mos bëhen bedela të Edi Ramës dhe të McGonigalëve, se atë e ka përdorur edhe këtu ai për të takuar prokurorë, gjyqtarë, për të vizituar institucionet e drejtësisë gjoja në emër të FBI, gjoja në emër të SHBA, prandaj në datën 3 mars pa asnjë diskutim jemi në solidaritet të plotë me Partinë Demokratike, me demokratët në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Meta.

Ndëkohë më herët, Sali Berisha ka paralajmëruar se edhe nesër do të jetë bashkë me mbështetësit e tij për të protestuar para Parlamentit. Në takimin me grupin parlamentar me deputetët e Rithemelimit, ai u shpreh se është përjashtuar një grup tjetër deputetësh nga seanca pasi Rama do jetë nesër në Kuvend.
“Nesër do të jetë dita e betejës. Çdo ditë, çdo betejë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sot ata për turpin e tyre marrin përsipër të përjashtojnë dhe një grup tjetër tonë nga parlamenti sepse nesër Edi Rama, pas 1 muaji vendos të shkojë në sallën e Parlamentit. Por ka frikë dhe tmerr nga prania jonë dhe kërkon të na stërpërgjysmojë”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë