Motosport

Me 3 kthesa të forta që bëjnë diferencën, cirkuiti i Majemit në rrezet X!

Gazeta Si – Cilat janë karakteristikat e pistës që të dielën pret garën e 5-të të Botërorit 2023? Nga të dhënat e ofruara nga Brembo zbulohen pikat e shkëputjes më të rëndësishme të kësaj piste.

Nga Baku në Majemi, në harkun kohor të një jave. Formula 1 nuk ka kohë të marrë frymë dhe fluturon nga Azerbajxhani te ‘Miami International Autodrome”, që bën pjesë në kompleksin e ‘Hard Rock Stadium’ të Majemit.

Një tjetër cirkuit që mund t’i pëlqejë një specialisti të pistave në qytet, si Serxho Perez, por vitin e kaluar aty fitoi Maks Vershtapen. Pista është e gjatë 5.41 kilometra, me tre segmente të drejta dhe 19 kthesa, 7 djathtas dhe 12 majtas. Por janë disa variacione altimetrike, sidomos ato mes kthesave 13 dhe 16.

Nga pergatitjet per garen e Majemit. Gazeta Si, 5 maj 2023

Sipas teknikëve të Brembo, pista e Majemit futet te cirkuitet me impenjim mesatar për frenat, me një koeficient vështirësie 3 nga 5, identik me pistën tjetër amerikane, atë të Austin.

Kthesat më impenjative janë 7 në total, por në 3 prej tyre pilotët përdorin më shumë frenat. E para është kthesa 1, ku nga shpejtësia fillestare 305 km/h shkohet në 91 km/h në 2.45 sekonda, brenda 111 metrash.

Në pjesën e dytë të cirkuitit, nga kthesa 11 tek ajo 17, janë 4 frenime, gjysma e të cilëve për 2.6 sekonda secili. Frenimet më të ashpra janë te kthesat 11 dhe 16. Në të parën kalohet nga 319 në 85 km/h në 116 metra dhe në të dytën kalohet nga shpejtësia 311 në 66 km/h në 113 metra. Në një xhiro piste frenat vihen në punë për 13.2 sekonda, rreth 15% e garës.

Në Majemi, pjesa e parë e cirkuitit ka kthesa të gjera dhe të gjata, para se pilotët të shkojnë në kthesën 11, ku në fund të vijës së drejtë mund të parakalohet. Pjesa e dytë është e pistës është më e ngadaltë dhe më teknike.

Në total janë 3 segmentet e drejta, ku shpejtësia mund të arrijë në 320 km/h. Për garën e së dielës organizatorët e Floridës e kanë riasfaltuar sipërfaqen e cirkuitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë