Ka ndodhur

Me 2 armë zjarri dhe kokainë, arrestohet ish-i dënuari për vrasje në Pogradec

Gazeta Si – Një 27-vjeçar, ish-i dënuar për vrasje, i cili ishte nën hetim disa javor nga policia, u arrestua në Pogradec.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, i riu Fabion Muçollari kishte me vete një pako me kokainë dhe 2 armë zjarri.

Ai ka qenë i dënuar më herët për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Fabio Hila në vitin 2016 dhe konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.

Pasi vuajti dënimin 7-vjeçar, Muçollari ka qenë nën vëzhgimin e policisë. Pasi kreu krimin e rëndë, u zbulua se shkak ishte bërë sherri mes tij dhe viktimës për një vajzë.

Gjatë dëshmisë së tij para togave të zeza, Muçollari tha se e vrau viktimën e i kishte ngacmuar shoqen e ngushtë dhe fjalët e tij e kishin prekur në sedër.

“Fabio ngacmonte shoqen time të ngushtë. Ne nuk njiheshim me njëri-­tjetrin, por e kontaktova nga Facebooku. I kërkova fillimisht të mos e ngacmonte atë vajzën, por ai ma ktheu me ironi dhe tallje çdo përgjigje. I kërkova prapë që ta lërë të qetë atë vajzën, por nuk e ka bërë. Gjatë gjithë kohës unë i flisja seriozisht, por atij i dukej vetja epror dhe të dy u nxehëm. Nisëm të fyenim njëri­tjetrin dhe pasi e mbyllëm bisedën, unë nuk arrija të gjeja qetësi. E gjeta numrin e tij të celularit dhe e telefonova. Ai sërish më foli keq dhe i kërkova të më tregonte ku ndodhej që të sqaroheshim përballë dhe jo me llafe. Më tregoi lokalin dhe i shkova atje. Nuk ishte vetëm, por me disa shokë. Atje më tha disa fjalë që më prekën në sedër. Mendja më shkoi menjëherë tek arma që kisha fshehur mbrapa shtëpisë. Shkova te vendi ku e kisha groposur, e nxora dhe u ktheva te lokali, atje e qëllova dhe ika. Nuk e dija nëse e kisha vrarë apo jo”, ishte dëshmia e tij.

Ndërsa gjatë kontrolleve në banesë i është gjetur një shkop bejsbolli dhe shumë parash që i janë sekuestruar tashmë nga policia.

Në 2017-ën, Muçollari u dënua nga Gjykata e Korçës me 12 vite burg. Prokuroria kishte kërkuar 24 vite burg për tre akuza: Vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe plagosje e rënde me dashje, por nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e 1/3 së dënimit dhe kërkesa përfundimtare e Prokurorisë ishte 18 vite burg të cilës i zbritet 1/3 e dënimit, si përfitim nga gjykimi i shkurtuar.

Ndërkohë burime bëjnë me dije se 27-vjeçari kishte dalë nga burgu në qershor të vitit të kaluar (2024).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë