Gazeta Si – Një 39-vjeçar është arrestuar në aeroportin e Rinasit, ku u kap me një valixhe të mbushur me 19.4 kg kanabis me përqindje të lartë THC.
Sipas policisë, në pranga ka rënë Dhimitër Shehu me banim në fshatin Kras të Tepelenës, i cili sapo ishte kthyer nga Tajlanda.
Gjatë kontrollit, atij iu gjet lënda narkotike e paketuar në një valixhe me qëllim shitjen e saj në Shqipëri, ku droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Sipas burimeve paraprake, një informacion në rrugë operative për një valixhe nga Tajlanda që ishte nisur në drejtim të Tiranës, me tranzit dhe që ishte në posedim të Dhimitër Shehut, i erdhi Antidrogës së Tiranës 3 ditë më parë.
Valixhja, në të cilën dyshohej se fshihej lënda narkotike me THC fillimisht u konstatua në Dubai dhe u mbajt nga autoritetet atje, ndërsa poseduesi i saj, Dhimitër Shehu, u la të udhëtonte drejt Tiranës.
Antodroga, fillimisht e arrestoi në flagrancë 39-vjeçarin, ndërsa u vu në dijeni nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe se valixhja do të nisej drejt Shqipërisë të dielën.
3 ditë pas arrestimit, hetimi u kompletua me provën kryesore materiale pas mbërritjes në destinacin në aeroportin e Rinasit. Pasi u peshua, rezultoi me peshë 19.4 kg, me vlerë 388 mijë euro.
Hetuesit kanë dyshime për persona të tjerë të përfshirë, të huaj dhe shqiptarë, të lidhur me rastin konkret, të cilët po verifikohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


