Analize

Me 12 milje, Greqia mund të zgjerojë edhe Zonën Ekskluzive Ekonomike

Vendimi grek për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon, aty ku ja mundëson gjeografia vërtet mund të mos ndezë debatin mbi sovranitetin në ujërat territoriale të Shqipërisë, por ai përforcon ndjeshëm pozitat e Greqisë përballë Shqipërisë në diskutimet për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike.

“Thembra e Akilit” është zona që ndodhet mes Korfuzit dhe ishujve grekë të Othonoit dhe Erikuzës. Në këtë zonë, në ujërat territoriale të saj, Shqipëria ka të përcaktuar bllokun e kërkimit të hidrokarbureve “Joni 5”, ndërsa Greqia ka të përcaktuar bllokun “Joni 1”, në pjesën e ujërave të saj territoriale. Studime të ndryshme të ndërmarra ndër vite në të dyja këto zona, flasin për rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Deri më tani madhësia gjeografike e bllokut grek shtrihej vetëm në 6 milje nga bregu. Me dyfishimin e kësaj hapësire, ky bllok mund të zgjerohet pothuajse dyfish në Perëndim. Edhe në këtë rast, Greqia do të qëndronte brenda të gjitha rregullave të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare.

Por, përfitimi më i madh duket se lidhet me zonën Ekskluzive Ekonomike, ose hapësira detare e njohur nga Konventa e OKB-së për Ligjin e Detit, ku një vend i caktuar ka të drejtë ekskluzive të ushtrojë të gjitha aktivitetet, që nga peshkimi dhe deri tek kërkimi i naftës dhe hidrokarbureve në shtratin e detit. Kjo zonë mes Shqipërisë dhe Greqisë mbetet e papërcaktuar dhe nuk mund të përcaktohet nëse më parë nuk saktësohen koordinatat e kufirit detar mes dy vendeve.

Megjithatë, manovra greke për t’u zgjeruar në Jon me 12 milje në drejtim veri-perëndim, duke marrë si pikë nisjeje ishullin e Othonoit i jep akses në Kanalin e Otrantos. Në këtë kanal është projektuar kalimi i një segmenti të gazsjellësit “East Med”, që nis nga Izraeli dhe përfundon në Itali.

Me këtë vendim, Greqia përfshin në ujërat e saj një pjesë të mirë të kalimit të këtij gazsjellësi dhe nëse kërkimet dhe nxjerrja e naftës dhe e gazit në dy blloqet joniane rezulton e suksesshme të ketë nën kontroll edhe infrastrukturën e transportit të tyre po në drejtim të Italisë. Pra, në një rast hipotetik, Greqia do të kontrollonte në të ardhmen rrugën më të shkurtër të transportit të naftës dhe gazit që mund të nxjerrë Shqipëria nga blloku “Joni 5”.

Aktualisht, Greqia ka përcaktuar zonën ekonomike ekskluzive vetëm me Italinë, përmes marrëveshjes së arritur së fundmi me Romën, ndërkohë që me Egjiptin është rënë dakord vetëm ndarja për ujërat territoriale.

Çfarë e ka penguar deri më tani Greqinë që të zgjerohet me 12 milje

Greqia e ka ratifikuar Konventën e OKB-së për Ligjin e Detit që në vitin 1995. Megjithëse, Konventa përcakton të drejtën e çdo shteti që të zgjerojë ujërat territoriale deri në 12 milje Greqia vendosi t’i zgjerojë ato me 6 milje, duke pasur një standard, si në lindje në kufi me Turqinë, ashtu edhe në Perëndim.

Vendimi i palës greke reduktonte përplasjet për ujërat territoriale në Mesdheun Lindor me Turqinë. Megjithatë, vendimi grek për të zbatuar këtë Konventë hasi në kundërshtimin e Turqisë, që nga ana tjetër nuk është pjesë e kësaj Konvente.

Po atë vit, Parlamenti turk autorizoi Qeverinë që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, qoftë edhe luftarake që të ndalojë Greqinë në aplikimin e kësaj Konvente në ujërat e diskutueshme mes dy vendeve. Në bazë të këtij autorizimi, Turqia i rezervon vetes të drejtën që të patrullojë me anije luftarake në ujërat që pretendohen nga të dyja vendet.

Tashmë, me vendimin për t’u zgjeruar me 12 milje, Greqia pretendon të tjera hapësira detare në Egje, që gjithashtu pretendohen nga Turqia. Me 12 milje, Greqia do të zotëronte 71.5 për qind të detit Egje, duke e kufizuar Turqinë në kontrollin e vetëm 8.7 për qind të tij, ndërsa pjesa tjetër, prej 19.8 për qind mbesin ujëra ndërkombëtare.

Me këtë vendim Greqia e bën fakt të kryer dhe nuk njeh ekzistencën e një kontestimi as të një shelfi kontinental dhe as atë të hapësirës ajrore, duke lënë në këmbë vetëm regjimin e lundrimit ndërkombëtar, që Athina thotë se mund ta zgjidhë me Ankaranë përmes bisedimeve.

Megjithatë, është e lehtë të parashikohet se vendimi grek nuk do të njihet nga Turqia, që ka kontestuar edhe shtrirjen me 6 milje. Për këtë arsye, edhe në Greqi janë skeptikë për zbatimin në terren të vendimit të palës greke, ku mes qindra komenteve në profilin në rrjetet sociale të Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotaqis të shumtë janë ata që e sfidojnë ta aplikojë këtë ligj në ujërat me Turqinë dhe jo në Perëndim ku kufizohet me Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë