Bota

Mbytet varka me 41 emigrantë në brigjet e Italisë, mes viktimave dhe 3 fëmijë

Gazeta Si – Të paktën 41 emigrantë humbën jetën, pasi një varkë e vogël, e cila u nis nga Sfax në Tunizi, u përmbys në Lampeduza dhe u mbyt ndërsa lundronte në ngushticën e Siçilisë.

Për të rrëfyer tragjedinë e radhës në det, janë katër persona të mbijetuar, tre burra dhe një grua, të shpëtuar nga mjeti lundrues Rimona, i cili mëngjesin e sotëm i ka transferuar në varkën patrulluese CP327 të Rojës Bregdetare.

Të 4 të mbijetuarit, me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea Konakry, zbarkuan në Lampeduza.

Ata u thanë ushtarëve të rojës bregdetare, se 45 prej tyre u larguan nga Sfax, duke përfshirë 3 fëmijë, në orën 10:00 të së enjtes.

Pas rreth 6 orësh lundrim, varka metalike prej 7 metrash u përmbys për shkak të një dallge të madhe.

Të gjithë emigrantët, sipas të mbijetuarve, kanë përfunduar në det. Vetëm 15 kishin jelek shpëtimi, por gjithsesi u mbytën. Të vdekurit, sipas dëshmive të tre burrave dhe gruas në gjendje shoku, janë 41, mes tyre 3 fëmijë.

As anija me flamur maltez, transportuesi me shumicë “Rimona” që i shpëtoi, as varkat e patrullës së Rojës Bregdetare nuk panë asnjë trup.

Dhe kjo, pasi të katërt u shpëtuan të martën, disa ditë pas mbytjes së anijes dhe në një distancë nga vendi ku ndodhi tragjedia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë