Ka ndodhur

Mbytet një peshkarexhë në afërsi të Sazanit, shpëtohen dy marinarët

Gazeta Si – Një peshkarexhë është mbytur në afërsi të ishullit të Sazanit, me dy marinarët të cilët janë shpëtuar nga roja bregdetare. Paraprakisht mësohet se varka me të cilën kishin dalë për të kapur peshk pronari dhe një punonjës, mori ujë në mënyrë të papritur.

Fati i tyre ishte që kishin pranë kolegët, të cilët njoftuan menjëherë rojën bregdetare, e cila mbërriti menjëherë dhe iu vu në ndihmë. 

Peshkarexha me emrin “Bashkimi” ka qenë duke peshkuar 3 milje në veri te Sazanit me dy peshkatarë në bord, Flori Mezani pronari i anijes, së bashku me një punonjës.

Defekti ka qenë në pjesën e pompave të ujit që merr nga deti, ku më pas pjesa e motorit ka marrë ujë dhe anija 18 metra e gjatë është mbytur në 130 metra thellësi uji.

Njëri nga peshkatarët e shpëtuar, u shpreh pas incidentit: “Ramë në një ngërçje të tmerrshme, ndodhën këto problemet, na u bllokua vinçi në të njëjtën kohë. Ne ishim në një moment kritik dhe i falënderoj ata që na shpëtuan me zemër të pastër. Deti ishte normal”, – tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë