Ka ndodhur

Mbytet 14-vjeçari në brigjet e lumit Seman, të njëjtin fat pati edhe i vëllai 10 vjet më parë

Gazeta Si – Trupi i 14-vjeçarit që u zhduk një ditë më parë në brigjet e lumit Seman, është gjetur këtë të enjte një kilometër larg vendit ku peshkonte në fshatin Suk 1 Roskovec, në Fier.

Mëngjesin e kësaj të enjteje në vendngjarje kanë shkuar edhe polumbarët e repartit RENEA, të cilët janë ndihmuar edhe nga banorët e zonës.

Por kjo nuk është e para fatkeqësi për familjen, pasi 10 vite më parë i është mbytur edhe një tjetër djalë në të njëjtin vend.

Përgjatë gjithë natës familjarë të të miturit dhe banorë të zonës kanë ngritur prita, në tentativë për të gjetur trupin e djalit, por pa mundur dot.

Të gjitha dyshimet janë se 14 vjeçari ka hyrë në ujë për të nxjerrë grepat, të cilat mendohet se i kanë ngecur në lumë.

Fqinjët tregojnë se janë familje shumë e mirë, por në vështirësi ekonomike. Sipas tyre ndihma ekonomike që merrnin i është ndërprerë.

Duket se fëmija ka patur fatin e të vëllait, i cili u mbyt 10 vite më parë, në po të njëjtin lumë. Skena duket e njëjtë. Shapkat dhe rrobat e lëna në breg, teksa i vogli ishte duke luajtur me shishe uji.

“Janë shumë hallexhinj, në punë dhe hall të tyre. Babai i ka lënë ka 4 vjet. Edhe një vëlla i është mbytur para 10 vitesh këtu. Këta me ndihmë ekonomike rrojnë, tani ia kanë ndërprerë fare. Kanaçe mblidhnin. Shumë çun i mirë ishte djali. E shikoja që gjuante këtu peshk. Nuk e kanë gjetur ende, do ta ketë marrë rryma”, – thotë një fqinj i tyre.

Policia thotë se po punohet për gjetjen e 14-vjeçarit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë