Sociale

Mbyllja në ora 20.00, masat antiCovid mbeten në fuqi. 79% e rasteve, të moshave nga 24-54 vjeç

Komitetit Teknik i Ekspertëve la në fuqi masat anti-Covid, me argumentin se ato që u vendosën para 2 javëve po japin efekt, ndaj nuk u shkua drejt uljes së orës së ndalimqarkullimit, apo edhe drejt një mbyllje fundjave apo 2 javore.
“Masat kanë filluar ta japin efektin e tyre, ndaj mbetemi aty, duke i vlerësuar më ngushtësisht në kohëra më të ngushta efikasitetin e kësaj tendence ulje. Pra po e përsëris masat që vazhdojnë të ngelen në fuqi, janë ato të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke nisur nga ora 20:00 deri në 06:00,” shpjegoi Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.
Duke shpjeguar më tej situatën epidemiologjike Drejtoresha e ISHP, Albana Fico tha se janë rritur edhe më tej infektimet tek moshat e reja. Sipas Ficos reth 79% e rasteve të dy javëve të fundit janë të moshave nga 24-54 vjeç.
“Mesatarja ditore e javës së 7-të e rasteve të konfirmuara ka pësuar një rënie. Pozitiviteti i mostrës mbetet i qëndrueshëm. Ajo çka është në totalin e personave të cilëve testohen, sa prej tyre konfirmohen ose janë pozitivë. Incidenca dy javore dhe pse mbetemi në një transmetim komunitar të gjerë ka një tendencë ulje. Mbetet konstante tek 1.7. Ajo që dua të sjell në vëmendje ka qenë që moshat kanë ndryshime dinamike. Moshat 24-35, 45-54 kanë një shtim të numrit të rasteve. Nëse do duam ta vlerësojmë ndryshimin dinamik të përfshirjes së mostrave nga dy javëshi pararendës, moshat nga 24-35, 45-54 janë 79% e rasteve pozitive,” shpjegoi Fico.

Për sa i përket mutacioneve të reja të Coivd-19, Fico shtoi se ka një ndryshim nga monstrat që kanë parë gjithmonë.

“Kur futet mostra për t’u sekuencuar ka një kohëzgjatje të caktuar, algoritmi i leximit të saj është tepër profesional. Mostrat janë pikasur në laboratorin më të mirë në botë. Informacioni dhe komunikimi është i përditshëm. Nuk ka prioritizim, aty ka radhë, i ke dërguar dhe duhet të presësh. Ky dyshim i arsyeshëm që na vjen nga laboratori, fakti që kemi një dinamikë moshore të ndryshuar, fakti që u përballëm me një rritje të pozitiviteti menjëherë janë të gjithë elementë që me firmën apo pa firmën e Anglisë kemi dyshime të arsyeshme. Të marrim të mirëqenë faktin që virusi është këtu, ka një trend që ka treguar një veçori” shtoi Fico
Më tej drejtoresha shpjegoi se vigjilenca nuk duhet humbur edhe pse ka nisur vaksinimi i qytetarëve.
Ndërsa, Shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, shpjegoi se nga 2500 thirrje që kemi pasur në 24 orë kemi shkuar në 2300. Sipas Brataj, është e rëndësishme që numri i shtrimeve në spital, nga 44 që ishte në janar ka vijuar duke u rritur deri në 100 shtrime, duke arritur maksimumin më datën 15 shkurt 140.
“ Javët e fundit ka zbritur poshtë numrit 100 dhe tregon që masat kanë dhënë një efekt. Kështu që situata është nën kontroll, monitorimi vijon i përditshëm, ne kemi numrat e saktë sa i përket shtrimeve të spitaleve që janë 648. Hapja e spitaleve rajonale ndihmoi në përmirësimin e situatës. Situata vijon të jetë në kritike në Tiranë dhe vijon në qarqet e tjera”, tha Brataj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë