Politike

Mbyllja e TikTok-ut do të jetë për 1 vit, Rama: Rrugaçi i lagjes po na merr peng fëmijët

Gazeta Si - Nga konsultimi me prindër e mësues, kryeministri Edi Rama diskutoi masat e reja të qeverisë në shkolla, duke filluar me vendimin e mbylljes së platformës së shumë diskutuar, Tiktok, për të cilën deklaroi se do të kufizohet për të paktën një vit në Republikën e Shqipërisë.

“Unë sot ndihem i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër, pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjithë faktorët që janë drejtpërdrejtë të lidhur me këtë sferë të edukimit dhe sigurisë të fëmijëve tanë, kemi një produkt konkret, me masa konkrete dhe kemi sigurinë që duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor më të mirë dhe më të sigurt”, - u shpreh ai.

Duke vazhduar argumentimin e tij, Rama theksoi se TikTok, “është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës, si ai rrugaçi i lagjes që është në telefon dhe që quhet TikTok. TikTok-u është rrugaçi i lagjes! Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTik-un e Kinës”, tha Rama.

Kreu i qeverisë thekoi se përgjatë vitit të aplikimit të masës do të shihet se si veprojnë vende e tjera dhe nëse do vendosen filtra në rrjetin social.

"Është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. TikTok do ta mbyllim për një vit. Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikTok. TikTok është kompani që i ka rrënjët në Kinë, por po të shikosh Tik-Tok në Kinë dhe jashtë Kinës janë dy gjëra të ndryshme. Në kinë promovon se si ruhet natyra. Rrugaçëri, perversiteti, dhunë, bullizëm, krim, thika, nuk sheh në TikTok e kinës, në TikTok jashtë kinës vetëm llum dhe qenëri, çfarë na duhet në kjo", deklaroi Rama.

Kryeministri Rama i është përgjigjur thirrjeve të opozitës dhe shoqërisë civile që kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu.

Rama i cilësoi akuzat si përpjekje për përfitime absurde nga një ngjarje e dhimbshme dhe shprehu mbështetjen për ministren, duke thënë se do transformojë sistemin arsimor.

"Dua të shpreh publikisht, edhe si përgjigje për ata që deshën edhe njëherë të nxjerrin përfitime absurde nga tragjedia e një familjeje dhe humbja e një jete, duke drejtuar gishtin e akuzave dhe duke kërkuar përgjegjësi personale nga ministrja e arsimit. Ministrja ka jo vetëm gjithë mbështetjen time, por kam bindjen se ashtu sikurse ka luajtur një rol në transformimin e sistemit shëndetësor, do të luaj një rol që do jemi falënderues edhe në transformimin e sistemit arsimor".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë