Ngjarje

Mbyllja e TikTok nga qeveria, Kushtetuesja: Cenoi lirinë e shprehjes, ndalimi vetëm me ligj

Nga Gazeta Si- Mbyllja e TikTok në Shqipëri në vitin 2025 nga qeveria ishte antikushtetuese dhe ka cënuar lirinë e shprehjes.

Sipas Gjykatës Kushtetuese aplikacioni i TikTok nuk mund të bllokohej me vendim qeverie por me ligj.

“Mbyllja e TikTok me vendim qeverie ishte antikushtetuese. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të bëhet vetëm me ligj”, argumenton Kushtetuesja.

Në lidhje me kriterin e kufizimit, “vetëm me ligj”, Gjykata vlerësoi se, megjithëse ligjet mbi bazën e të cilave ka dalë VKM-ja nr. 151/2025 parashikojnë kompetenca të caktuara rregullatore dhe mbrojtëse në fushën e komunikimeve elektronike dhe të të drejtave të fëmijëve, ato nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë, të posaçëm dhe të parashikueshëm për vendosjen e një mase me karakter të përgjithshëm, siç është ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë on-line për të gjithë përdoruesit.

Edhe pse nga qeveria u tha në mars të 2025 se TikTok do të mbyllet për një vit, aplikacioni është rikthyer, 3 muaj pasi u mbyll.

Përdoruesit në të gjithë vendin kanë pasur akses në aplikacion, pa pasur nevojë të përdorin VPN.

“TikTok është shumë toksik, veçanërisht për fëmijët dhe 95% e prindërve në Shqipëri janë të tmerruar”, tha kryeministri Edi Rama në një nga deklaratat e shumta që dha 1 vit më parë në lidhje me mbylljen e TikTok.

Në një tjetër deklaratë, Rama tha se vendimi për mbylljen e TikTok për një vit u mor nga 1300 takime në të gjithë vendin, ku morën pjesë 65.000 prindër dhe nga anketimi, doli se mbi 90 për qind e prindërve kërkuan mbylljen e TikTok në Shqipëri. Ndërkohë, këto 65 mijë prindër sot janë përballur me aksesin në aplikacionin që kërkuan të mbyllej.

TikTok është hapur zyrtarisht në Shqipëri me vendim të këshillit të ministrave rreth një muaj më parë.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas këtij vendimi, duke thënë se gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut!

“Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot”, thotë Rama.

Rama thotë se falë asaj mbyllje, sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi “që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë