Çdo mëngjes, Ergys Katiaj, hedh një video në TikTok, duke i rikujtuar klientëve të tij se dyqani i tij në Tiranë mund t’ju ofrojë edhe natën shërbim delivery në shtëpi alkool, cigare e patatina. Telefoni i tij nuk pushon me porosi që e çojnë fitimin etij mujor në 1 mijë euro.
Por Katiajt do t’i duhet të gjejë një mënyrë të re për të promovuar biznesin e tij. Qeveria shqiptare ka vendosur të bllokojë për një vit rrjetin social me qëllim reduktimin e dhunës tek të rinjtë, por grupet për të drejta dhe pronarët e bizneseve thonë se kjo kërcëon biznesin dhe lirinë e fjalës, ndërkohë që vendi po shkon drejt zgjedhjeve vendore që mbahen në maj.
“Do të ketë një ndikim të madh në biznesin tim sepse shumica e porosive vijnë nga reklamimi në TikTok”, thotë Katiaj.
Kryeministri Edi Rama njoftoi mbylljen më 21 dhjetor, pasi një 14-vjeçar u sulmua për vdekje nga bashkëmoshatari i tij, një krim që sipas mediave ndodhi pas një sherri online. TikTok pritet të mbyllet në pak javë.
Vendimi vjen pas bllokimeve ose ndalimeve të pjesshme në të paktën 20 vende për shkak të shqetësimeve për video të papërshtatshme ose shqetësime sigurie të lidhura me kompaninë ByteDance me bazë në Kinë, dhe afërsinë e saj me qeverinë kineze.
Në Shqipëri, Rama tha se vendimi erdhi pas diskutimeve me prindërit dhe mësuesit, por kundërshtarët e tij shqetësohen se kjo është pjesë e goditjes së kryeministrit ndaj disidencës politike pas një viti trazirash popullore.
“Kjo krijon një precedent të rrezikshëm që në çdo moment qeveritë mund të mbyllin platforma të ndryshme,” tha Orkidea Xhaferaj, nga SCiDEV me qendër në Tiranë.
TikTok tha se po kërkonte “sqarime urgjente” nga qeveria shqiptare sepse “raportet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në atë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”.
Shqipëria pati protesta të rregullta të dhunshme vitin e kaluar kundër burgosjes së kundërshtarëve politikë. Demonstruesit hodhën bomba me benzinë ndaj ndërtesave qeveritare teksa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Drejtuesit e dy partive më të mëdha opozitare, Sali Berisha i Partisë Demokratike dhe Ilir Meta i Partisë së Lirisë, akuzohen për akte korrupsioni. Ata mohojnë akuzat, të cilat thonë se janë të motivuara politikisht.
Arlind Qori, kreu i partisë politike “Bashkë” të formuar në vitin 2022, tha se ndalimi i TikTok shkurton një mjet të fuqishëm komunikimi të opozitës.
“Ai dëshiron të na mbyllë gojën,” thotë Qori nga zyra e tij ku mbështetësit e partisë u strehuan nga i ftohti dhe diskutuan planet e tyre të fushatës.
Rama këmbëngul se masa ka për qëllim mbrojtjen e të rinjve. Në një rrugicë në qendër të Tiranës, një foto e nxënësit të vrarë është varur në një shtyllë elektrike të rrethuar me lule të thara dhe mesazhe nga miqtë.
Ai u godit me thikë atje dhe shkoi drejt shkollës së tij i gjakosur para se të vinte një ambulancë.
“Brenda TikTok-ut të Kinës nuk sheh huliganizëm, perversitet, dhunë, bullizëm, krim”, tha Rama kur shpalli vendimin e tij muajin e kaluar. “Ndërsa në TikTok-un jashtë Kinës vetëm llum dhe poshtërsira. Pse na duhet kjo?
Burimi:Reuters/Përshtati: Gazeta ‘SI’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.