Nga Gazeta Si- Edhe pse u tha që TikTok do të mbyllej në Shqipëri me 13 mars, aplikacioni vijon të jetë aktiv, pasi sipas burimeve të Gazetasi.al, janë hasur probleme me disa prej ofruesve të vegjël të internetit të cilët janë të lidhur me fqinjët.
Besmir Semanaj, ekspert IT thotë se po përflitet për një përpjekje për të vendosur DPI pranë ofruesve më të mëdhenj të internetit në vend.
Por çfarë është në të vërtetë DPI (Deep Packet Inspection), çfarë rreziqesh paraqet për privatësinë e qytetarëve dhe a duhet të implementohet një teknologji kaq e ndjeshme pa një kuadër ligjor të qartë dhe të detajuar?
Semanaj thotë se DPI (Deep Packet Inspection) është një teknologji që u lejon ofruesve të internetit (ISP) ose autoriteteve të inspektojnë në mënyrë të detajuar përmbajtjen e paketave të të dhënave që kalojnë nëpër rrjet.
Ndryshe nga inspektimi i thjeshtë i “header-it” të një pakete, DPI shikon edhe përmbajtjen reale, që do të thotë:
-Mund të dallojë llojin e trafikut (video, tekst, aplikacion i caktuar si TikTok, VPN etj).
-Mund të bllokojë, ridrejtojë ose modifikojë trafikun në kohë reale.
-Mund të monitorojë sjelljen e përdoruesve në internet në nivel shumë të detajuar.
Semanaj thotë se DPI përdoret për kontroll, siguri kibernetike, mbikëqyrje masive dhe optimizim trafiku apo menaxhim të rrjetit.
Semanaj thotë se DPI mund të analizojë çdo gjë që bëjmë online në kohë reale dhe nëse DPI vendoset pa kuadër ligjor të qartë, nuk ka asnjë mekanizëm ankese e as garanci për të drejtat themelore të përdoruesit.
“Nëse qeveria ose ISP-t nuk janë transparentë, të dhënat mund të përdoren për qëllime politike, ndëshkime, ose manipulime”, thotë Semanaj.
Ai thotë se implementimi i DPI duhet të diskutohet publikisht, duhet të rregullohet nga një ligj i qartë dhe transparent, ku përcaktohet kush ka akses në të dhënat, për çfarë qëllimi, për sa kohë ruhen të dhënat dhe si mbrohen nga keqpërdorimi.
“Përndryshe, është një rrezik serioz për demokracinë dhe për të drejtat themelore të qytetarëve”, përfundon Semanaj.
Ekspertë të IT kanë thënë më herët për Gazetasi.al se pas mbylljes së TikTok në vendin tonë, kushdo mund të hapë një TikTok tjetër me VPN nga një vend që ka akses në TikTok.
Ka aplikacione të ndryshme VPN, që IP-në e lidh me një server kudo nëpër botë ku mjafton që serveri t’i përshtatet rregullatorit të vendit ku ndodhet.
Për akses, njerëzit kanë mundësi të gjejnë VPN me pagesë dhe pa pagesë.
Problemi në këtë rast është se të gjithë personat që zgjedhin VPN pa pagesë janë të ekspozuar ndaj vjedhjes së mundshme të të dhënave, duke qenë se një VPN e panjohur, nga një vend tjetër është totalisht e pasigurtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.