Ngjarje

Mbyllja e TikTok / Kushtetuesja kalon çështjen për shqyrtim në seancë publike, por rrëzon kërkesën për pezullimin e vendimit

Nga Gazeta Si- Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok, por ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të tij.

Gjykata vendosi kalimin e çështjes në seancë publike, duke ftuar si palë të interesuara Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Gjykata kërkon që të dorëzojnë parashtrime me shkrim nëse kanë argumente shtesë për çështjen.

Kjo kërkesë ishte bërë nga Asociacioni për Gazetarët Shqiptarë, të cilët në një reagim, thonë se ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit.

“Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend”, thuhet në njoftim.

Megjithëse Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë, për AGSH, shqyrtimi në themel i çështjes në seancë publike është tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që kjo çështje përfaqëson.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë