Politike

Mbyllja e TikTok/ Berisha bëri thirrje për bojkot të mësimit, Rama: Absurde! I ka ikur mendja për terital!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si absurde thirrjen për bojkot të mësimit që kreu i PD Sali Berisha iu bëri nxënësve, pas vendimit për mbylljen e Tik Tok.

Rama tha se një thirrje e tillë, tregon sipas tij se sa rreziqe mund të priten nga një mendje që ai i referohet si ‘e ikur për terital’.

“Fëmijët u ftuan nga Kujtim Gjuzi të mos shkojnë në shkollë, dhe prindërit u ftuan që të mos i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë dhe të shfaqin të gjithë madhështinë e marrëzisë për të protestuar pse do mbyllet TikTok-u.

Kjo është një mënyrë që nuk ka nevojë për asnjë koment, asnjë argumentim, asnjë fjalë më tepër por që në vetvete u thotë në radhë të parë të gjitha nënave, pavarësisht se janë socialiste apo demokrate, nga çfarë duhet të ruhen më 11 maj,” tha Rama në një takim me disa gra me rastin e 8 Marsit.

“Sepse më 11 maj kush voton duhet të ketë parasysh dy gjëra, ose do t’i japë një dorë Shqipërisë për të arritur objektivin e integrimit në Bashkimin Europian, ose votën ta përdorin për ta hedhur në kënetë. Nuk ka më qartë se kaq. Lajthitja e madhe e thirrjes për të mos shkuar në mësim dhe prindërit për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi sepse do të mbyllet TikTok-u, tregon në fakt sesa rreziqe të tjera mund të presim nga një mendje e ikur për terital”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë