Sociale

Mbyllja e shkollave, qeveria zyrtarizon vendimin: Tre ditë pushim për prindin me fëmijë të mitur

Pas njoftimit të ministres Evis Kushi për ndërprerjen e procesit mësimor për 3 ditë për shkak motit të ftohtë, qeveria ka zyrtarizuar vendimin për të lënë pushim njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë.

Bëhet fjalë për ata prindër që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Kështu, prindërit me fëmijë të mitur lejohen të qëndrojnë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare gjatë ditëve kur nuk do të ketë shkollë.

Në vendim e qeverisë, thuhet që prindërit mund të punojnë edhe nga shtëpia, nëpërmjet tele-punës.

Një thirrje i bëhet të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre.

Për shkak temperaturave të ulëta deri që -17 gradë celsius në zona të thella, Ministria e Arsimit njoftoi më herët se do të mbyllen shkollat në të gjithë vendin për 3 ditë.

Bëhet fjalë, nga data 24-26 janar, nga e hëna në të mërkurë, duke sqaruar se orët e humbura do të zëvendësohen.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, sqaroi këtë të hënë se shkollat nuk po mbyllen për shkak të problemit me sistemin e ngrohjes, por për shkak të rrezikut që haste nxënësi nga shtëpia në shkollë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë