Treg

Mbyllja e restoranteve uli eksportet me Kosovën dhe konsumin e brendshëm

U rritën eksportet me Gjermaninë, fasonët shqiptarë përfituan nga mbyllja e Kinës

Në kohë krize, thonë ekspertët, qytetarët përpiqen të kursejnë më shumë e të konsumojnë më pak. Ata iu drejtohen produkteve bazike dhe braktisin ato gjysmëluksi dhe luksi.

Këtë tregojnë dhe shifrat e tregtisë së jashtme për muajin prill të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Përpos rënies dy-fish të eksporeteve me Italinë për arsye të artikuluara dhe të stërditura, ajo që vihet re është rënia e eksporteve me Kosovën mbi 60% dhe rritja e eksporteve me Gjermaninë 15, 3%.

Uran Derri, ekspert në fushën e financave dhe sipërmarrës si në tregun ushqimor, ashtu dhe fasoneri, përkthen për gazetën “Si”, shifrat e INSTAT.

“Konsumi i fruta-perimeve ka rënë si në Shqipëri, ashtu edhe për eksport në Kosovë për artikuj gjysmë luksi dhe luksi. Sepse konsumin më të madh e kryejnë bar-restorantet, të cilët kanë qenë të mbyllur për më shumë se dy muaj si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Ne në Kosovë eksportojmë fruta-perime dhe produkte deti. Mbi 90% të produkteve të detit në Kosovë qytetarët i konsumojnë në restorant”- shpjegon eksperti Uran Derri duke shtuar se “Nëse më parë kur shkoje në restorant dhe kërkoje një sup me asparag, kërpudha, etj. Në shtëpi supën e bën me oriz dhe vezë. Pra qytetarët nga frika dhe pasiguria kanë tentuar të kursejnë duke konsumuar produkte bazike të menusë ballkanase, alla turke, jo mesdhetare që është më e shtrenjtë”.

Pra, thotë ai, eksportet janë ulur në vlerë monetare, pasi çmimet e produkteve bazike janë disa-fish më të ulta se ato të gjysmë luksit (një kg patate kushton 70 lekë, një kg kërpudha 500 lekë).

Kurse rritjen e eksporteve me Gjermaninë, Uran Derri e shpjegon me kontratat e shtuara për produkte mbrojtëse bazike në fushën e shëndetësisë që nga muaji janar kur Kina u bllokua për shkak të koronavirusit.

Vetë Uran Derri zotëron dy fabrika fasonerie; Citytex në Elbasan dhe  Superior Sew në Has.

Ai nuk e ka ndalur punën për asnjë çast sepse ka kontrata afatgjatë me Gjermaninë për veshje të plota mbrojtëse.

Uran Derri

“Duken si letra në pamje të parë. Unë prodhoj për një rrjet spitalesh në Gjermani. Kam kontratë afatgjatë. Më kanë kërkuar 10 mijë veshje në  ditë. Shqipëria në këtë rast ka përfituar, ka qenë oportunitet për biznesin fason që kur u bllokua Kina në janar.

Fasoneri, një pjesë e mirë e produkteve, maskat bëheshin nga Kina, Nuk I ka marrë në Kinë, që në janar. Ka nisur nga Shqipëria".

Vendi ka 762 fabrika veshjesh dhe këpucësh që prodhojnë mallra për klientë të huaj. Ky sektor punëson 70,000 njerëz dhe përbën 42% të eksporteve të Shqipërisë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë këtij katërmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Spanja (15,4 %), Gjermania (17,9 %) dhe Franca (0,9 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-25,7 %), Kosova (-32,7 %) dhe Greqia (-7,8 %).

Në muajin Prill 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Prill 2019 janë: Gjermania (15,3 %), Bosnia dhe Herzegovina (1,8 %) dhe Austria (3,6 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-50,0 %), Kosova (-61,9 %) dhe Greqia (-35,5 %).

Shkëmbimet tregtare, për katërmujorin e parë 2020, me vendet e BE-së zënë 63,4 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Prill 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,5 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 56,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,3 %), Gjermania (8,1 %), Greqia (7,8 %) dhe Turqia (6,4 %).

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë