Para

Mbyllja e kufijve-Grekët kanë ca para për t’ua kthyer shqiptarëve që para pandemisë

Nga Megi Iskurti-Shtyrja e vendimit për hapjen e kufijve për Shqipërinë nga Greqia ravijëzoi një panoramë krejt pesimiste jo vetëm për agjencitë turistike të cilat merren me turizmin e jashtëm por edhe ndër qytetarë që kishin rezervuar që në 2020 dhe ende nuk e dinë se çfarë do të bëhet me paratë e tyre.

Elina Leka është një ndër ta e cila rezervoi vitin e kaluar një javë pushime në Greqi që ende i mbetën të parealizuara dhe tregon për gazetën “SI” se tashmë dyshon nëse do i realizohen ndonjëherë.

“Unë rezervova pushimet që në fund të shkurtit të vitit 2020 për korrikun e po atij viti. Nuk e dija as që do futeshim në karantinë dhe për më tepër që këto pushime nuk do i realizoja as në verën e vitit të ardhshëm.

Duke qenë se gjeta një paketë shumë të mirë turistike në shkurt dhe e përfitova me një çmim të kënaqshëm ekonomik nuk hezitova të rezervoja menjëherë.

Por tani ja ku jam. U bë një vit. Agjencitë thonë që me hapjen e kufijve do kemi mundësi t’i realizojmë pushimet mbase jo duke iu përmbajtur me përpikmëri paketës por që do shkojmë. Kam dyshimet e mia për këtë. Unë nuk kam as një voucher i cili do të më jepte siguri.

(voucher është një dokument që i jepet klientit dhe vërteton se bileta që ai ka prerë por nuk e ka përdorur për shkak të mbylljes së kufijve, do të mund të përdoret sapo ato të hapen.)

 Agjencitë kanë kaluar një periudhë të madhe krize dhe nuk mendoj që do mundësojnë pushimet për të gjithë qytetarët që kanë rezervuar.

Ato para i quaj të humbura.”-tregon pahumor Elina për gazetën “SI.”

Në komunikimet me disa agjenci, gazetasi.al kuptoi se moshapja e kufijve nga shteti fqinj ka rindezur ndjesi të reja pezmatimi ndër aktorët shqiptarë të turizmit.

“Agjenci Arjani” ka rreth 20 rezervime që kanë ngecur pezull që me fillimin e karantinës dhe pavarësisht se shprehet se me hapjen e kufijve do t’i dërgojnë qytetarët të pushojnë në Greqi, pohon se dhe për ta vështirësitë financiare dhe viti pandemik jo pak herë kanë ndezur sinjalet e dëshpërimit për falimentime të mundshme.

“Kam rreth 20 rezervime të mbetura ‘në ajër’ që kanë nisur përgjithësisht nga fillimi i muajit janar. Pothuajse të gjithë klientët kanë ardhur duke kërkuar mbrapsht dëmshpërblim dhe kthim parash dhe jo të gjithë na kanë besuar kur u kemi thënë që në momentin e parë që do hapen kufijtë, ata do i realizojnë pushimet.

Nuk kanë faj, janë paratë e tyre, është krejt e kuptueshme që duhen kompesuar. Por edhe për ne ka qenë një goditje që na zhyti thellë në krizë.

Do përpiqemi të bëjmë më të mirën por se sa % e realizueshme do të jetë kjo, mbetet veç për t’u parë me hapjen e kufijve.”

Në fakt, aktorët shqiptarë të turizmit duket se e parashikonin të gjithë këtë ngërç që do të ndodhte kur fill me hapjen e sezonit të kaluar turistik, rreth 180 prej tyre u organizuan përpara Ministrisë së Turizmit e me pankarta ndër duar pohonin me zemërim se vazhdonin të paguanin rregullisht taksat ndonëse kufijtë ishin të mbyllur.

“Ne gati ishim tërësisht të falimentuar. Mirë vitin e kaluar që erdhi puna ashtu siç erdhi por edhe ky vit po vazhdon po njëjtë.

Nuk kanë faj në këtë mes as klientët tanë e as ne.

Mbyllja e kufijve ishte një gjë që na gjeti krejt të papërgatitur dhe për më tepër fakti që situtata veç po zvarritet dhe ende nuk është zgjidhur.

Një vit nuk është pak, imagjinoni stresin tonë që kemi ‘një lum’ biletash dhe paketash të rezervuara e të destinuara për në Greqi dhe të gjithë përplasjet që kemi patur me klientët të cilët me të drejtë kërkonin llogari tek ne.

Në momentin e parë që do të hapen kufijtë ne do të bëjmë të pamundurën që të dërgojmë secilin nga klientët në destinacion edhe pse e dimë që kjo do të jetë shumë e vështirë duke patur parasysh dhe financat me të cilat mbahet vetë agjencia pasi arkëtimet kanë qenë të pakta.

Por nuk do të luajmë me lekët e shqiptarëve. Pandemia goditi të gjithë botën dhe fajtorë në këtë mes zor se mund të gjenden ku secili nga ne, qoftë si qytetarë apo si biznese është prekur dhe është ndikuar në një mënyrë a në një tjetër.

Ne kishim 20 e ca paketa të rezervuara për në Greqi dhe aktualisht asnjëra nga ta nuk është realizuar.”-tregoi për gazetën SI Amar, një tjetër agjenci turistike e cila kryesisht operon me turizmin jashtë Shqipërisë.

Të tjera pohuan për gazetasi.al se rezervimet më të mëdha ishin bërë kryesisht në periudhën janar-shkurt të vitit 2020 kur karantina ende nuk kishte nisur dhe qytetarët parashikonin një sezon turistik të qetë e normal si për çdo vit tjetër.

Pas futjes në karantinë vetëm tek-tuk ndonjë qytetar i guximshëm kishte rezervuar sepse mbyllja e kufijve dhe një sezon veror i mbërthyer nga ethet e krizës, ishin të pashmangshme dhe u parashikuan që në krye të herës.

Sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë vetëm për korrikun e vitit 2020 ishin  246.334 duke u ulur ndjeshëm me 52,3 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në një situatë të tillë duket se daljet e shqiptarëve të paktën drejt Greqisë do të shënojnë sërish vlera të ulëta në përqindje.

Nisja e vaksinimit masiv dhe sezoni turistik ngjall shpresat që shumë shqiptarë të udhëtojnë sërish drejt saj, qoftë në kërkim të vendeve të reja të punës, qoftë për pushimet e mbetura pezull, por me rregullat në fuqi, kufijtë e vendit fqinj për udhëtarët shqiptarë do të vazhdojnë të jenë të mbyllur.

Sipas të dhënave të INSTAT, pikat kufitare nga ku bëhen shkëmbimet më të mëdha të turistëve jo vetëm që shkojnë por edhe që vijnë në Shqipëri për pushime janë Kapshtica e cila ndodhet në rrethin e Devollit, Kakavija në rrethin e Gjirokastrës, Qafë Bota në Sarandë dhe vendkalimi Tre Urat që ndodhet në afërsi të qytetit të Përmetit.

Përkatësisht, të dhënat e disponueshme vetëm për vitin 2019 tregojnë se nga Kakavija erdhën 235.900 turistë ndërsa nga Qafë Bota kanë hyrë  158.680.

Vendkalimi kufitar i Kakavijës me Shqipërinë punon nga ora 07.00 deri në orën 19:00 dhe lejohet hyrja e vetëm disa kategorive të caktuara, me test negativ ose me test të shpejtë të bërë nga autoritetet greke. Nga kjo pikë kufitare nuk lejohet kalimi i më shumë se 400 personave në ditë.

Kufijtë e Greqisë janë mbyllur për më shumë se një vit për shtetasit e vendeve të treta, mes të cilëve edhe për shqiptarët. Ky vendim i vendosur vitin e kaluar, gjatë karantinës së parë në mars, po zgjatet gati çdo dy javë prej atëherë.

Të vetmit shqiptarë që mund të udhëtojnë drejt Greqisë aktualisht janë rezidentët, personeli mjekësor, diplomatët dhe punëtorë sezonalë bujqësorë.

E teksa Greqia është në tentativë për të shpëtuar sezonin turistik, situata në Shqipëri ende duket të jetë pesimiste.

Agonia e sezonit të vështirë turistik që po zgjat, ka mbërthyer pas vetes dyert e agjencive shqiptare të cilat po trokiten veç nga klientë që duan në kthim paratë e tyre…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë