Bota

Mbyllja e Hormuzit? SHBA kërkon ndërhyrjen e Kinës: Gabim tjetër katastrofik nga Irani!

Gazeta Si – Pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës sulmuan impiantet bërthamore iraniane, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj ndaj Iranit për të mos lejuar mbylljen e ngushticës së Hormuzit.

Deklarata e Rubio u bë gjatë një interviste në emisionin “Sunday Morning Futures” në Fox News, menjëherë pasi televizioni shtetëror iranian “Press TV” raportoi se parlamenti iranian ka miratuar një masë që parashikon mbylljen e ngushticës strategjike, përmes së cilës kalon rreth 20% e qarkullimit global të naftës dhe gazit.

“U bëj thirrje autoriteteve në Pekin të kontaktojnë menjëherë Teheranin, sepse edhe Kina varet shumë nga ngushtica e Hormuzit për furnizimin me naftë. Sikur ta bëjnë një gjë të tillë, do të ishte një tjetër gabim katastrofik. Do të ishte vetëvrasje ekonomike për ta. Ne kemi mundësi për të reaguar, por edhe vendet e tjera duhet të shqetësohen, sepse do t’u kushtonte shumë më tepër atyre sesa ne”, tha Rubio, i cili ushtron gjithashtu detyrën e këshilltarit për sigurinë kombëtare.

Sipas Rubio-s, çdo përpjekje për të mbyllur ngushticën do të përbënte një përshkallëzim të rëndë dhe do të kërkonte një përgjigje jo vetëm nga SHBA-të, por edhe nga vendet e tjera.

Rubio, bëri thirrje pas sulmeve të SHBA-ve ndaj objekteve bërthamore iraniane, për nisjen e menjëhershme të negociatave të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Amerika është gati të flasë me ta që nesër”, deklaroi Rubio për Fox News në lidhje me programin bërthamor civil të Iranit.

Nga ana tjetër, Teherani ka paralajmëruar se do të mbrohet. Rubio e quajti çdo hakmarrje të mundshme si “gabimin më të madh që ata do të kishin bërë ndonjëherë”. Ai shtoi gjithashtu se SHBA-të mbeten të hapura për bisedime me Iranin.

Ndërkohë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka reaguar pas sulmeve të SHBA-së në tre centrale bërthamore iraniane, duke thënë se tregojnë se Amerika është “nxitësi kryesor pas” sulmeve izraelite kundër Iranit.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Pezeshkian akuzoi SHBA-në se “po përpiqej të fshihte përfshirjen e saj në fillim”, por tha se “në fund të fundit u detyruan të ndërhynin drejtpërdrejt”.

Ai shtoi se sulmet iraniane ndaj Izraelit sot ishin një “përgjigje” ndaj sulmeve të SHBA-së dhe se Izraeli “nuk ka as kapacitetin dhe as guximin për të vepruar i vetëm” kundër Iranit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë