Gazeta Si – Zegjine Çaushi, kandidatja që u bë virale në rrjetet sociale për shkak të “përplasjes” me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, humbi mandatin e deputetes me 10 vota diferencë përballë Maldrita Bardhos.
Por kandidatja e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, është shprehur se nuk do ta pranojë mandatin që ia fitoi koleges së saj pas rinumërimit të votave në qarkun e Fierit, duke u shprehur se “e meriton, sepse ka luftuar më shumë për skuadrën se sa për veten”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardho shprehet se do të vijojë kontributin në PS, por pa qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.
Ajo ka falenderuar të gjithë mbështetësit e Partisë Socialiste që kanë vlerësuar punën dhe kontributin e saj, duke votuar emrin e saj në 11 maj.
Çaushi pas rinumërimit rezultoi se kishte 48 vota të pamerituara, pra në total 4026 vota. Bashkëngjitur edhe votat e diasporës, 600 të tilla, numri total shkoi në 4626 vota për të.
Por nga ana tjetër, Maldrita Bardhos i ishin hequr padrejtësisht 26 vota. Nga kutitë e hapura rezultoi se kishte 3616 vota në total.
Ato që i hapën “derën e fitores” ishin 1020 votat e diasporës. Në total për Bardhon u bënë 4636 vota, pra 10 më shumë se Çaushi, por mjaftueshëm për t’i marrë mandatin.
Kandidatja socialiste Zegjine Çaushi mori vëmendjen gjatë fushatës elektorale për 11 majin pas “thumbave” me Gazment Bardhin në rrjetet sociale. “Gazooo, ome ku je?!”, ishte shprehja e saj në disa nga videot që publikonte.
Postimi i Maldrita Bardhos:
Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar.
Megjithatë, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot m’u përforcua përfundimisht.
Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar.
Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat.
Ju falenderoj nga zemra thellësisht dhe do të jem aty për të gjithë ju që më votuat, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.