Euro2024

Shqipëria e nis me humbje ndaj Italisë (2-1). ‘Azurrët’ përmbysin rezultatin duke shuar euforinë e golit të Bajramit, më i shpejti në historinë e Europianëve

Ëndrra kuqezi ka pësuar një goditje që në start të Kampionatit Europian nga kthimi që Italia i bëri rezultatit vetëm në 17 minuta. Shqipëria e nisi kështu me humbje rrugëtimin e saj në Euro 2024, pasi u mposht me rezultatin 2-1 nga kampionia në fuqi e Europës, Italia, në një përballje të vendosur brenda 16 minutave të para në “Signal Iduna Park”.

Një stadium i ngjyrosur kuqezi, me tifozerinë shqiptare që kishte krijuar një atmosferë fantastike, ishte Nedim Bajrami ai që ngriti në peshë zemrat e gjithë shqiptarëve anembanë botës, duke shënuar gol pas vetëm 23 sekondash lojë dhe duke u bërë zyrtarisht lojtari që shënon golin më të shpejtë në një Europian.

Italia mundohet të krijojë menjëherë rast të rrezikshëm me Kiezën i cili gjuan por nuk gjen portën kuqezi. Në minutën e shtatë të kaltrit janë që tani në sulm për të barazuar shifrat duke zhvendosur lojën pranë portës tonë, Mitaj me një pasim në zonë rrezikon por topi nuk arrin të gjejë katërkëndorin fatmirësisht pas një diagonaleje të Barelës.

Në minutën e 8, Asani nga e djathta provon të gjejë portën, Di Lorenco me kokë largon topin në këndore, ndërsa në zhvillimin e një goditje këndi, Gjimshiti ka mundësinë të gjuajë fluturimthi, por nuk gjen kontaktin me topin.

Në minutën e 11, Italia bën gjuajtjen e parë në portë dhe gjen golin e barazimit.

Pas një goditje këndi, Bastoni me kokë çon sferën në rrjetë. Pesë minuta më vonë Dimarko nga e majta nis një top të rrezikshëm në zonë, por Gjimshiti largon sferën para portës.

Sulmet e vazhdueshme të italianëve sjellin golin e dytë. Asani largon topin në mënyrë të gabuar dhe Barela falënderon duke gjuajtur në rrjetën e Strakoshës, në minutën e 17.

Kuqezinjtë u munduan në fund të pjesës së parë të ndërmerrnin disa kundërsulme për të kapur në befasi kundërshtarin, por më kot, gjithcka shuhej në 30 metrat e fundit përpara portierit Donaruma.

Italianët ndëkaq tërhiqen pak duke tentuar tashmë të nisin aksione nga krahët, sidomos me Dimarkon e Kiezën, duke rrezikuar në jo pak raste.

Pjesa e dytë nis me përpjekjet e Italisë për të thelluar rezultatin. Në minutën e 47 Skamaka gjuan nga jashtë zonës, por godet një shok të skuadrës që i zë rrezen e portës. Ndërsa në të 49-ën, me një harkim nga e djathta drejt qendrës, Dimarko për fat nuk ka kontaktin e duhur me topin që largohet.

Disa gjuajtje radhazi trondisin pankinën kuqezi, me Bastonin, Fratezin apo edhe Kiezën.
Në minutën e 68, Asani dhe Seferi lënë fushën e lojës, duke i bërë vend Hoxhës dhe Laçit. Ndërsa në të 74-ën, Hoxha ndëshkohet me të verdhë pas një faulli ndaj Fratezit. Dy minuta më vonë, Broja i lë vendin në fushë Manajt, ndërsa Kieza dhe Pelegrini për Italinë, i lënë vendin në fushë Kambiasos dhe Kristantes. Italia kryen në të 83-ën edhe dy ndërrime, Skamaka dhe Dimarko i lënë vendin Darmian dhe Reteguit, duke përforcuar sektorin e mbrojtjes

Pasime të gjata të italianëve në gjysmëfushën tonë, por pa gjetur hapësira për të rrezikuar Strakoshën. Ndërsa kuqezinjtë kanë kuajtur deri në fund, në kërkim të një gabimi të të kaltërve për të tentuar të krijojnë diçka. Në minutën e 87 Muçi merr vendin e Bajramit në zëvendësimin e fundit të kuqezinjve, por duhet nënvizuar se të gjitha ndërrimet e Sylvinhos u kryen kokë më kokë dhe jo duke ndryshuar skemën e lojës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë