Paris 2024

Olimpiada e historisë, u renditëm në vendin e 80-të

Nga Gazeta Si -Lojërat Olimpike të Parisit ulën siparin këtë të diel dhe për Shqipërinë do të kujtohet gjithmonë, pasi është Olimpiada e parë ku vendi ynë theu tabunë dhe u fut mes shteteve që fitojnë medalje, në aktivitetin më të madh sportive botëror. Ndërkohë sa i përket protagonistëve dhe kryesuesëve të saj ata janë të njëjtët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezultuan vendi më i suksesshëm ndërsa parakaluan në renditjen Kinën në momentin e fundit.


Garat e Lojërave Olimpike u mbyllën me finalen e basketbollit të femrave mes SHBA-së dhe Francës. Ekipi i femrave të SHBA-së fitoi me rezultatin 67-66 duke marrë medaljen e artë. Një medalje që i duhej për t’u konfirmuar e pakalueshme në këtë aktivitet, për t’i siguruar SHBA-së vendin e parë në renditjen e përgjithshme për herë të katërt radhazi në Lojërat Olimpike.


Para kësaj ndeshje, ishte Kina që kishtre arritur të grumbullonte 40 medalje të arta ndaj 39 të SHBA në Paris 2024, pasi klasifikimi i përgjithshëm bëhet fillimisht në bazë të numrit të medaljeve të arta dhe vetën nëse ato janë të barabarta, atëherë kalohet tek të argjendit, broznit e më pas totali.

Por me fitoren e ekipit të femrave të basketbollit, SHBA barazoi Kinën për të arta, teksa mori kreun e klasifikimit falë 44 medaljeve të argjendta ndaj 27 që kanë siguruar aziatikët. Kështu, SHBA dominon tabelën për të katërtin edicion radhazi të Lojërave Olimpike, duke ndaluar rikthimin e Kinës në majë për herë të parë që pas Pekin 2008.

Në vendin e tretë është renditur Japonia me 20 medalje të arta, e ndjekur nga Australia me 18 dhe Franca me 16. Ndërkohë vlen të ritheksohet se Shqipëria largohet nga Parisi me dy medalje të bronzta.
Pas suksesit historik të Chermen Valiev, që theu tabunë 1 ditë më parë, Islam Dudaev e rishkroi atë këtë të diel, duke i dhuruar Shqipërisë një tjetër medalje, e dyta në historinë e Shqipërisë që na rendit në vendin e 80-të në klasifikimin e përgjithshëm, duke lënë pas disa shtete të tjera me nga një medalje.

Me këngën e Edith Piaff nisi ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike

Me këngën e Edith Piaff ”Sous le ciel de Paris” (”Nën qiellin e Parisit”), kënduar nga Zaho de Sagazan dhe kori i Akademisë ”Haendel-Hendrix” filloi  ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike në Paris.

Kjo ishte një shfaqje e planifikuar prej gati tre orësh në ”Stade de France” që përfshiu dorëzimin për në Lojërat e ardhshme 2028 në Los Anxheles.

Sensacioni francez i notit, Léon Marchard, simbolikisht mori flakën nga kazani olimpik, në kopshtet e Tuileries, për në stadium, ku edhe u shua më vonë, sipas DPA.

Rreth 270 interpretues mahnitën spektatorët në stadium dhe miliarda të tjerë në mbarë botën përmes televizionit dhe transmetimeve të drejtpërdrejta, në fund të Lojërave që u hapën më 26 korrik.

Në këtë ceremoni u përfshinë edhe Billie Eilish, Red Hot Chillie Peppers dhe Snoop Dogg.

Parada e atletëve nuk ishte sipas vendit, por në një përzierje kombesh, me mbajtës të flamurit, duke përfshirë heroin francez të regbit Antoine Dupont, notaren amerikane Katie Ledecky dhe triathletin britanik Alex Yee.

U përfshi gjithashtu ceremonia e fitores për maratonën e femrave, e fituar nga holandezja Sifan Hassan, 36 orë pas një bronzi në 10 000 metra dhe shtatë ditë pas një bronzi në 5 000 metra.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach mbylli zyrtarisht Lojërat, të fundit të tij pasi ai do të largohet vitin e ardhshëm, ndërsa kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo i dorëzoi flamurin olimpik homologes së saj të Los Anxhelesit, Karen Bass, të cilin më pas e mori ylli i Hollivudit, Tom Cruise.

Ceremonia e mbylljes së Lojërave është mbajtur para 71 500 spektatorëve në stadiumin ”Stade de France”, të cilët kanë duartrokitur gjatë parakalimit të rreth 9 000 atletëve, me flamuj të shteteve të tyre në duar, sipas REL.

Në ndryshim nga ceremonia hapëse, me një ditë me shi në lumin Senë, ceremonia mbyllëse nisi pas perëndimit të diellit në kryeqytetin francez


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë