Trashëgimi

Mbyllet Muzeu Arkeologjik në Durrës, do t’i nënshtrohet restaurimit

Nga Gazeta Si - Muzeu Arkeologjik në Durrës, një ndër objektet e rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do të restaurohet.

“Me mbylljen e sezonit turistik, gjatë të cilit Muzeu arkeologjik i Durrësit ishte një nga qendrat më të vizituara dhe aktive, falë programit ‘EU4Culture’ ky muze do t’i nënshtrohet restaurimit dhe muzealizimit, për t’u shndërruar në qendrën model që dëshmon historinë, pasurinë tonë arkeologjike me gjuhën e kohës”, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.

Margariti u shpreh se muzeu do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit që vjen.

Më parë në faqen e programit “Eu4Culture” shkruhej se Muzeu Arkeologjik është një element thelbësor i qasjes së “trashëgimisë së lidhur” me vizibilitetin kulturor në Durrësin e lashtë.

Muzeu është edhe një burim me rëndësi arkeologjike ndërkombëtare.

“Duke marrë parasysh kushtet ekzistuese, ndërtesa ka pësuar dëmtime në shumë lokacione për shkak të tërmetit. Në disa lokacione, struktura mbajtëse është prekur. Fasada, dritaret dhe sipërfaqet e brendshme gjithashtu pësuan dëmtime të vogla; mungesa e përgjithshme e mirëmbajtjes është gjithashtu e dukshme kudo, veçanërisht në katet e sipërme dhe zonat e pasme/të jashtme. Rijetësimi i propozuar ofron mundësinë që siti të jetë në pararojë të muzeologjisë dhe konservimit, duke zbatuar gjithashtu një model të qëndrueshëm biznesi”, thuhet në faqen e programit të BE.

Ndërhyrjet e propozuara dhe që synohen të zbatohen për rehabilitimin e muzeut, në lidhje me projektin “EU4Culture” përfshijnë kategori të ndryshme si stabilizimi strukturor i strukturës së parafabrikuar të betoni, riparimi i sipërfaqeve të brendshme, projektimi për ekspozita të përkohshme dhe shfrytëzimi i tarracave të sipërme të hapura, menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë, programi dhe planet e mirëmbajtjes, etj. Në infrastrukturë përmirësimi i instalimeve elektrike për ndriçimin, përmirësimi i sistemit të ngrohjes dhe ajrimit, etj.

Muzeu Arkeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake. Objektet e para u vendosën në një vilë dykatëshe, duke ekspozuar ato artefakte që ishin zbuluar deri në atë kohë nga nëntoka e zonës së Durrësit.

Por gjatë viteve, godina e Muzeut Arkeologjik ka ndryshuar disa herë vendndodhjen e saj. Sot muzeu ndodhet te Rruga Taulantia, afër Vollgës. Ka mbi 2 mijë objekte që nga Prehistoria e deri në shek. IV pas Krishtit.

Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer ndër muzetë më të vizituar në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë