Gazeta Si – Më 9 shkurt në orën 12:00, GJKKO do të vendosë nëse dosja në ngarkim të Erion Veliajt do të kalojë ose jo për gjykim.
Seanca e kësaj të hëne u zhvillua mes debateve të forta mes trupës gjykuese dhe kryebashkiakut, i cili braktisi sallën me pretendimin se argumentet e tij nuk u dëgjuan.
Avokatja e caktuar ng shteti, Valentina Teodoresku ka kërkuar shtyrje të seancës, pasi nuk ka arritur që të konsultojë me Veliajn të gjitha aktet hetimore.
Këtë kërkesë avokatja e argumentoi duke thënë se taksia e priti vetëm 1 orë në qendrën e paraburgimit në Durrës dhe nuk pati më shumë kohë në dispozicion.
Kërkesa nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja e çështjes, Etleva Deda, ndërsa Veliaj ka kërkuar përjashtimin e saj pasi i mohoi të drejtën të mbrohej efektivisht. Pas largimit të Veliajt seanca vijoji deri sa palët përfunduan dhënien e konkluzioneve.
Seanca e radhës është caktuar më datë 9 shkurt në orën 12:00 ku pritet të jepet vendimi për çështjen e Veliajt, nëse do të kalojë ose jo për gjykim.
Sakaq, do të vendoset nëse kërkesa e Veliaj për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda do të pranohet ose jo. Në rast se pranohet, kërkesa do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtare.
Ndërkohë një ditë më parë, GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e dy prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado se masa duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.
Çështja e masës së sigurisë ndaj Veliajt është duke u shqyrtuar ndërkohë edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila më 3 nëntor vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrë, pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.
Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



