Me pak ndërprerje, dëshmia e Edi Ramës para komisionit hetimor për incineratorët zgjati për rreth 10 orë. Seanca u shoqërua nga debate e përplasje të herë pas hershme të Kryeministrit me anëtarët e opozitës në këtë komision.
Gjithsesi, në gjithë dëshminë e gjatë, Rama nuk mohoi se te procedurat e dhënies me koncesion dhe PPP të tre incineratorëve mund të ketë pasur shkelje proceduriale, por tha se kjo nuk ishte në përgjegjësinë dhe detyrën e tij për ta kontrolluar.
Rama përsëriti se nëse ka shkelje, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe po individuale edhe përgjigja para ligjit. Kryeministri pranoi se në qershor të 2020 është nisur një inspektim financiar për incineratorin e Elbasanit, por tha se ky inspektim nuk ishte nisur as me kërkesën dhe as me urdhrin e tij.
Këtë inspektim dhe faktin që dy anëtarë të Bashkisë së Tiranës në Komisionin e Prokurimit Publik për vlerësimin e ofertës për incineratorin e kryeqytetit kanë kërkuar që më parë të ketë një vendim të Këshillit Bashkiak, Rama i interpretoi si tregues të qartë që rrëzon akuzat e opozitës për grup të strukturuar kriminal.
Rama mbrojti incineratorët, duke sjellë edhe një vlerësim të ish-Kryeministrit Sali Berisha, që në 2012 shprehej pro incinerimit në Elbasan. Kryeministri këmbënguli se qeveria nuk ka dhënë asnjë lek për ndërtimin e incineratorit të Tiranës, se ai është investim krejtësisht privat dhe se shifra prej 36.9 milionë euro nga buxheti i shtetit për këtë incinerator janë pagesa për shërbimin e ofruar, atë të depozitimit të mbetjeve nga bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë.
Dëshmia u mbyll me tensione mes kreut të Qeverisë dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa. Zhupa lexoi në komision një pjesë nga akuza e SPAK e ngritur ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Rama tha se Zhupa shkeli ligjin për funksionimin e komisionit dhe po indimidonte SPAK.
Përplasje pati edhe me deputetët Boçi, Gështenja e Bushati, përveç asaj me kryetaren e Komisionit, Jorida Tabaku. Rama e akuzoi këtë të fundit se po fantazonte me shifra, kur flet për aferë korruptive 430 mln euro. Kryeministri tha se shifra është e shpikur dhe se në të PD ka përfshirë edhe pagesat që do të kryejë shteti për incineratorin e Tiranës deri në vitin 2047, kohë kur përfundon koncesioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.