Gazeta Si - Ministria e Arsimit ka vendosur të mbyllë dhe t'i heqë licencën kopshtit privat “Flatrat e Dijes” në Fier, ku rreth tre javë më parë humbi jetën në mënyrë tragjike një fëmijë 3-vjeçar.
Nga konstatimet e bëra prej grupit të punës nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në kopshtin “Flatrat e Dijes”, janë konstatuar një sërë shkeljesh.
Së pari, kopshti “Flatrat e Dijes, që funksiononte si institucion parauniversitar, nuk ka drejtues didaktik, gjë që bie në kundërshtim me ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar.
Së dyti, kopshti në fjalë, ka shkelur ligjin, pasi ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, kur mosha e detyrueshme për regjistrimin e fëmijëve në grupin e 1-re të arsimit parashkollor (kopsht) është mosha 3-4 vjeç.
Së treti, personeli mësimdhënës në kopsht, sipas Ministrisë së Arsimit, nuk plotëson kriteret e parashikuara “për sistemin arsimor parauniversitar”, ku përcaktohet: “Mësuesi për arsimin parashkollor, duhet të ketë fituar diplomën e ciklit te parë ‘Bachelor’, qe formon mësues të arsimit parashkollor”.
Së katërti, kopshti “Flatrat e Dijes nuk plotëson standarde te normativave infrastrukturore të përcaktuara, në kundërshtim me përcaktimet e udhëzimit, “Për procedurat e posaçme për shqyrtimin e kërkesave për licencë të institucioneve arsimore private dhe institucioneve arsimore plotësuese private parauniversitare”.
Së pesti, drejtuesit e kopshtit kanë regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar të fëmijëve për grup, duke sjellë si pasojë mungesën e përkujdesjes se nevojshme për këta fëmijë, në kundërshtim me udhëzimin “për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”.
Në pikën e 6, Ministria e Arsimit thotë se kopshti “Flatrat e Dijes, nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin ligjor dhe teknik te nevojshëm, duke përfshirë kontratat e shërbimit me prindërit.
Dyshimet për vdekjen e 3-vjeçarit janë të përqendruara te pista e mbytjes, kur i mituri është zgjatur për të marrë një veshje në varësen e rrobave, në të cilën i ka ngecur kapuçi i xhupit.
Ai u gjet i shtrirë nga edukatoret në ambientet e kopshtit, të cilat e dërguan urgjentisht në spital, por ka qenë e pamundur për mjekët, pasi fëmija ka mbërritur pajetë aty. Fëmijës i janë konstatuar shenja në fyt dhe në momentin që ai është dërguar nga edukatoret në spital nuk reagonte.
Gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në një kohë kur edukatorja, Redina Binjaku nuk ishte e pranishme në dhomë. Edukatorja është arrestuar dhe është lënë në burg për 30 ditë.
Ditën kur duhej të dilte para gjykatës, rreth 3 javë më parë, Binjaku vendosi të shkruajë një letër për ngjarjen e rëndë, ku theksonte se për shkak të gjendjes së saj të rënduar psikologjike, nuk mund të paraqitet në gjykatë, ndaj u përfaqësua nga avokati i saj.
Nga na tjetër, familjarët e 3-vjeçarit kërkojnë drejtësi për vogëlushin dhe bëjnë apel që ngjarja të zbardhet sa më parë. Duke mos besuar në versionin e vetëmbytjes së fëmijës, ata thonë se drejtori i kopshtit i ka gënjyer edhe për kamerat e sigurisë, pasi sipas tyre, vendi ku pretendohet se është mbytur djali, nuk ka të tilla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.