Futboll

Mbyllet epoka ‘Gjici’ / E vërteta e pronarëve të rinj të Kukësit, kush do të jetë në krye të ekipit dhe sa para përfiton familja!

Nga Gazeta Si - Pas rreth një dekade në krye të skuadrës së Kukësit, familja Gjici ka vendosur të heqë dorë dhe tashmë ka shitur skuadrën, të cilën e bëri të njohur për futboll edhe pse si qytet nuk e kishte një traditë sportive të tillë.

Sipas burimeve të brendshme të familjes që deri dje kishte drejtimin e kësaj skuadre, pronarët e rinj janë dy persona, emrat e të cilëve mbahen ende jopublik, por Gazeta 'S'i ka zbuluar se per njerin bëhet fjalë për një person nga Lituania që prej disa vitesh merret me menaxhime klubesh në Bjellorusi, në vendet Baltike madje deri edhe në Kazakistan si pjesë një prej klubeve më të mëdha të tyre, Astana.

Nuk bëhet fjalë për bosa me buxhete të mëdha, pasi më tepër është një bashkëpunim mes një grupi menaxherësh që në këtë menaxhim do të tentojnë të formojnë një skuadër me lojtarë që menaxhojnë vetë dhe më pas të mundohen të shesin dhe të sigurojnë të ardhura për klubin për të patur një jetëgjatësi në aspektin e ecurisë sportive dhe jo vetëm.

As emri i “ortakut” shqiptar ende nuk publikohet për momentin, por gjithësesi një iniciativë ndryshe nga zhurma që bëri në momentin e parë lajmi, ku më tepër se sa një grup i madh investitorësh, do të jetë një grup i madh menaxherësh në përpjekje për të ndihmuar biznesin e tyre, paralelisht edhe të klubit.

Safet Gjici takon lojtarët e Kukësit. Gazeta Si, Foto Arkiv

Sa para përfitoi familja Gjici nga shitja e 100% të aksioneve?

Sa i përket transaksionit duket se nuk ka një vlerë shitjeje, por një marrëveshje të komplikuar me klauzola, ku familja 'Gjici' do të ketë përfitime të ndryshme: 30% nga shitja e çdo lojtari, dhe rreth 200.000 euro për kualifikimet në Europë.

Ndërkohë është e paqartë se çfarë do të bëhet edhe me prapambetjet e gjobave që skuadra verilindore ka në Federatën Shqiptare të Futbolli. Përflitet për një shumë të mbartur prej kohësh që arrin shifrën e 300.000 eurove. Pikërisht për këtë, duke qenë se palët zyrtarisht mes tyre nuk kanë shkëmbyer para për shit-blerjen, nuk dihet se kush do t'i likuidojë dhe në çfarë forme.

Stafi që do të drejtojë aspektin sportiv të klubit?

Emri i përmendur për drejtor teknik është ai i Renato Arapit, ish-lojtarit te Skënderbeut, Teutës, apo edhe kombëtares shqiptare të futbollit. Sa i përket trajnerit do të zyrtarizohet Ilir Spahiu, me shumë pak eksperiencë në klube të rriturish, pasi më tepër është marrë me akademitë e moshave të ndryshme, dikur menaxhonte Akademinë e Futbollit të Dinamos me Ilir Dajën.

Si ndihmës i tij është përzgjedhur Sebino Plaku, ish zëvendës i Orges Shehit në vitet e fundit tek Tirana dhe Partizani.

Renato Arapi

Sukseset e Kukësit në rreth 10 vite nën drejtimin e Safet Gjicit!

Nën drejtimin e Safet Gjicit, Kukësi përjetoi një periudhë të artë në futbollin shqiptar, duke fituar të gjithë trofetë e mundshëm nga kampionati në vitin 2017-të, dy Kupa Shqipërie dhe një Superkupë. Gjithashtu në qëndrimin e tij në elitën e futbollit shqiptar, Kukësi arriti në disa raste të kualifikohet në Kupat e Europës duke kaluar edhe ture të ndryshme.

Në sezonin e ri që është prag, Kukësi do të garojë në Kategorinë e Parë, aty ku u kthye pas më shumë se një dekade të ndritur, teksa ambicia e pronarëve të rinj është që ta rikthejnë sërish në elitën e futbollit shqiptar ndërkohë që Safet Gjici do të vazhdojë të jetë president nderi i klubit verilindor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë