Politike

Mbyllet afati, lista e 3 rivalëve për kryeprokuror shkon në Parlament

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dërgooi sot për votim Kuvendit listën me tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. Burimet nga Gjykata Administrative e Apelit bëjnë të ditur se asnjë nga 3 kandidatët nuk ka ankimuar renditjen e KLP. Gjithashtu nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pohuan për Gazeta “Si” se lista mbërriti pak para mesditës. Mësohet se lista me tre kandidatët për postin e kryeprokurorit Olsjan Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj shoqërohet me një raport të hollësishëm për gjithë procesin nga fillimi deri në fund, pra deri në mënyrën se u realizua pikëzimi i pretendentëve.

"I nderuar Z.Ruçi, Në mbështetje të nenit 148/a pika 2 të Kushtetutës, ligjit “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e tij të datës 14.11.2019 ka miratuar vendimin nr.236 “Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”. Me mbarimin e afatit të ankimimit më datë 21.11.2019, rezultoi se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit", thuhet në shkresën e dërguar nga Gent Ibrahimi, kreu i KLP.

per app


Dy ditë më parë, Arta Marku i kërkoi Këshillit pikëzimin e detajuar, informacion që kandidates ia vunë në dispozicion dje. Pas mos ushtrimit të së drejtës së ankimit nga Marku, duke bërë të kalohej edhe afati i ankimimit, tashmë Parlamenti duhet të vendosë për emrin e kryeprokurorit të ri.
KLP ka përcaktuar këtë renditje Olsjan Çela i pari, duke marrë 459 pikë, Arta Marku e dyta me 406 pikë dhe Fatjona Memçaj e renditur e fundit me 362 pikë. Sipas ligjit Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 ose 84 vota të deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjë nga kandidatët nuk siguron shumicën e votave, votohet kandidati i renditur i pari në listë. Ndërsa Parlamenti brenda 30 ditëve duhet të realizojë procesin e votimit.

Më tej theksohet se për sa më sipër në bazë të nenit 34 dhe 35, të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe tё nenit 21 pika 6 të Rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”; bashkëlidhur Ju përcjellim vendimin nr.236 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe relacionin shpjegues, si pjesë përbërëse të tij.

Mazhoranca i duhet të vendosë për emrin e ri të Prokurorisë, si dhe të lobojë për të marrë vota nga opozita në mënyrë që të arrijnë 84 vota. Arta Marku u zgjodha dy vite më parë si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, vetëm me votat e mazhorancës. Renditja si kandidate e dytë në listë shihet si “kërcënim” në këtë betejë, pasi nëse nuk arrihen 84 vota për kandidatët atëherë, në mënyrë automatike Çela shpallet kryeprokuror.
Parlamenti, nëpërmjet komisionit të Ligjeve duhet të përcaktojë raportin dhe procedurën që do të ndiqet për zgjedhjen e prokurorit të ri të përgjithshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë