Euro 2020

Mbyllen sot grupet B dhe C/ Holanda për “tris”, Danimarka shpreson ende

Sot është dita e parë e Euro 2020, ku do të luhen katër ndeshje. Në orën 18:00 do të zbresin në fushë 4 skuadrat e Grupit C. Holanda përballet me Maqedoninë e Veriut dhe do të tentojë fitoren e tretë në grup, kurse Ukraina dhe Austria sfidojnë njëra-tjetrën për vendin e dytë.

Me siguri De Bur do të bëjë ndryshime në ndeshjen e sotme. Vendin e parë e ka të sigurt, pasi dy rivalët në grup, Austrinë dhe Ukrainën, i ka mundur në ndeshjet direkt. Megjithatë, tolerimi nuk ekziston në mentalitetin e futbollit holandez dhe objektivi do të jetë fitorja e tretë në grup. Maqedonia e Veriut, me disa lojtarë shqiptarë në formacion, i ka humbur dy ndeshjet e para. Fqinjët tanë do të tentojnë të bëjnë surprizën për të marrë pikën e parë historike në një Europian.

Belgjika feston fitoren ndaj Danimarkës. Gazeta Si, 21 qershor 2021

Ukraina e Shevçenkos ka 3 pikë pas 2 ndeshjeve të para, po aq sa kundërshtari i sotëm, Austria, por ka golaverazh më të mirë dhe mban vendin e dytë në grup. Ukrainasve do t’u mjaftonte edhe barazimi në ndeshjen e sotme, megjithatë Shevçenko nuk dëshiron të rrezikojë dhe beson se sulmi do të luajë një tjetër 90-minutësh të mirë.

Në orën 21:00 do të jetë radha e Grupit B. Belgjika kryesuese, me 6 pikë në 2 ndeshje, ndeshet me Finlandën dhe është e favorizuar në letër për trepikëshin e radhës. Trajneri Martinez ka shansin t’u japë minuta lojtarëve të stolit për të treguar vlerat e tyre.

Simon Kjaer, kapiteni i Danimarkës. Gazeta Si, 21 qershor 2021

Me shumë interes pritet ndeshja Danimarkë-Rusi, ku një fitore e mundshme e danezëve do të ndizte shpresat e kualifikimit. Danimarka nuk ka asnjë pikë, por nëse mund Rusinë (3 pikë) në ndeshjen direkt dhe Belgjika fiton me Finlandën, hapet “semafori” për kalimin e grupit. “Me gjithë atë që kemi kaluar këto ditë, meritojmë të kualifikohemi”, - ka thënë kapiteni i danezëve, Simon Kjaer. Stadiumi sot në Kopenhagen do të ketë vetëm tifozë vendës, rusët nuk lejohen për shkak të rregullave anti-Covid, çka e ka bërë ambasadën ruse në Danimarkë të akuzojë për rusofobi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë