Gazeta Si – Thuajse një vit pas zjarrit në urgjencën e re të QSUT, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy specialistë të sektorit të inxhinierisë klinike, Enea Koka dhe Ejnar Shena.
Hetimet janë mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim, ndërsa organi i akuzës ka ngritur ndaj dy specialistëve akuzën “shpërdorim Detyre”.
Sipas organit të akuzës, dy specialsitët nuk kanë siguruar funksionimin e sigurt dhe në përputhje me standardet e nevojshme të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, përfshirë UPS-të dhe bateritë, të cilat janë thelbësore për funksionimin e shërbimeve mjekësore.
Ata nuk kanë ndjekur procedurat për mirëmbajtjen dhe instalimin e këtyre pajisjeve, si dhe nuk kanë hartuar projektin teknik për ventilimin dhe mbrojtjen nga zjarri në vendet ku janë instaluar.
Prokuroria arriti në përfundimin se specialistët me veprimet e tyre nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit si:
– Funksionimin e sigurtë dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, ku përfshihen UPS-të dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore;
Nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive;
Nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë; si dhe
Nga aktet e administruara ata kanë qenë në dijeni të faktit që UPS-të dhe bateritë janë vendosur në katin 2-të godinës të Urgjencës se re, jashtë kushteve teknike dhe standardeve që kërkohen nga prodhuesi, për instalimin dhe funksionalitetin e tyre, megjithëse e kanë patur si detyrë funksionale dhe ofrimin e konsulencës teknike.
“Në kuadër të këtij procedimi, u krye dhe akti i ekspertimit teknik elektrik, nga i cili ka rezultuar se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së “Urgjencës së Re” në QSUNT ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.