Drejtësia

Mbyllen hetimet për vrasjen e Fatbardh Licit, akuzat për Safet Bajrin dhe 3 të tjerët

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e katër të pandehurve të përfshirë në këtë ngjarje, mes tyre dhe Safet Bajri.

Të pandehurit, të arrestuar më herët, Behar Brajoviq, Safet Rustemi (Bajri) dhe Astmer Bilali, akuzohen për “vrasje me paramendim në bashkëpunim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.

E pandehur është edhe Eria Ago, ish-e dashura e Safet Bajrit, e cila akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit. Ajo dyshohet se ka ndihmuar ekzekutorët, duke i larguar me makinë nga vendi i ngjarjes.

Hetimet kanë treguar se ngjarja e 10 gushtit të vitit 2018 në Shkodër, ndodhi si pasojë e konflikteve të mëparshme mes familjes së viktimës dhe të pandehurve, lidhur me kontrollin e territorit. Fatbardh Lici u qëllua me armë zjarri jashtë lokalit ku pinte kafen dhe gjeti vdekjen e menjëhershme.

Sipas hetimeve të SPAK, pas vrasjes Boran Bërcanas dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci (të njohur të të pandehurve), në korrik të vitit 2018, në Shkodër, i pandehur Behar Brajoviq, ia ka atribuar këtë vrasje, Ibrahim Lici, nipit të Fatbardh Lici.

Në dinamikë të këtyre ngjarjeve të ndodhura, i pandehuri Behar Brajoviq, në bashkëpunim të veçantë me të pandehurit, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë organizuar dhe vrarë në datën 10.8.2018, në Shkodër, shtetasin Fatbardh Lici,  xhaxhain e shtetasit, Ibrahim Lici. Ekzekutori i drejtpërdrejtë ka qenë i pandehuri Astmer Bilali.

Të pandehurit Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë përdorur një mjet të vjedhur të markës, Benz ngjyrë gri me targa AA 760FX, i cili rezulton i vjedhur.

Ata janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i S.L., ku çdo ditë pothuajse në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen, vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici, xhaxhai i Ibrahimit.

Viktima  ka qenë i ulur jashtë lokalit dhe pasi automjeti është afruar pranë tij, nga dera e pasagjerit ka zbritur i pandehuri Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur.

Më pas, mjeti është larguar në drejtim të zonës së Dobraçit, ka hyrë në njërën nga kthesat ku ndodhej banesa e të pandehurit Safet Rustemi (Bajri) dhe më pas është kthyer duke u larguar.

Mjeti është djegur po në zonën e Dobraçit. Pasi personat kanë kryer vrasjen, Safet Rustemi (Bajri) ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Astmer Bilali është larguar menjëherë drejt Tiranës, së bashku me të pandehurën Eria Ago, e cila rezulton të ketë përkrahur autorët pas kryerjes së vrasjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë