Kombetarja

Mbrojtja kuqezi në momentin më të mirë, edhe Ismajli shkëlqen në Serinë A

Trajneri i kombëtares, Edi Reja, është i qetë sa i takon mbrojtjes. Në prag të tri ndeshjeve të para eliminatore të “Katar 2022”, lojtarët e prapavijës duken në formë shumë të mirë. Berat Gjimshiti është në top-formë me Atalantën, Kumbulla po merr më shumë minuta me Romën, ndërkohë që edhe Ardjan Ismajli po kalon një moment shumë të mirë.

Mbrojtësi i Specias ishte titullar në fitoren 2-1 ndaj Kaljarit, shumë e rëndësishme për qëndrimin në Serinë A. Ismajli ka fituar tashmë besimin e trajnerit dhe po luan rregullisht. Paraqitja e tij në ndeshjen e sotme ishte mbi nivelin mesatar dhe është vlerësuar me notën 6.5 nga shtypi sportiv italian. Shtatlarti i Kombëtares luajti 90 minuta të plota, ndërsa Specia, me këtë fitore, i largohet zonës së ftohtë.

Ismajli në dyluftim me Zhoao Pedro. Gazeta Si, 20 mars 2021

Lajme të mira edhe për portën kuqezi. Etrit Berisha tregoi një formë shumë të mirë sot, në fitoren 1-0 të Spalit ndaj Çitadelës. Portieri titullar i Shqipërisë fitoi kështu derbin me Elhan Kastratin, që mbron portën e Çitadelës. Titullarë sot me ekipet e tyre ishin edhe Nedim Bajrami (Empoli) dhe Ledjan Memushaj (Peskara), ndërsa Kastriot Dermaku (Leçe) qëndroi në stol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë