Ngjarje

‘Mbreti’ polak i armëve vdes në mënyrë misterioze në Tiranë. Eksperti i Inteligjencës: Ngjarje e dyshimitë!

Gazeta Si – Polaku Andrzje Izdebski, një tregtar i famshëm armësh dhe aparatesh frymëmarrjeje, ka ndërruar jetë në mënyrë misterioze në Shqipëri para rreth një muaji.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat polake, sipas të cilave, informacionet jo zyrtare që qarkullonin prej disa ditësh, tashmë janë konfirmuar përfundimisht.

“Faktin e vdekjes e konfirmuam përmes kanaleve tona, direkt në Shqipëri dhe përmes Europolit”, tha një oficer i Shtabit të Policisë për TVN24.

Andrzje Izdebski, 73 vjeç, në arrati që prej vitit 2021, ishte nën hetim nga prokuroria polake për shkelje të kontratave shtetërore.

Në qershor 2022, Policia e Tiranës njoftoi se një shtetas polak ishte gjetur pa shenja jetë në një banesë që kishte marrë me qira në bulevardin “Bajram Curri”, duke dhënë vetëm iniciale e viktimës, pa e identifikuar atë.

“Më datë 20.06.2022, në bulevardin “Bajram Curri”, në një banesë të marrë me qira, është gjetur pa shenja jete, shtetasi polak A. H., 73 vjeç. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, informuan blutë e Tiranës.

Dyshohet se ai ishte një  ish-pjesëtar i shërbimit sekret polak, por në tre dekadat e fundit njihej në Poloni, si “mbreti” i tregtisë së armëve, duke i çuar ato nga vendet e Europës Lindore deri në Korenë e Veriut.

Vdekja e tij në Tiranë konsiderohet misterioze në Poloni, duke parë interesat miliona dollarëshe, kontaktet me shërbimet sekrete dhe mafien.

Për këtë është i bindur edhe një ish-analist i Agjencisë së Inteligjencës, i cili ngre dyshime mbi vdekjen e tij, duke thënë se Shqipëria dhe zona e Ballkanit, janë vendet e duhura për të falsifikuar ngjarje të tilla.

Pajisje respiratorësh spitalorë

Marrëveshja për respiratorët

Në fillim të pandemisë së COVID-19, në rolin e ndërmjetësit (broker), i premtoi qeverisë polake se do të siguronte 1,241 respiratorë me vlerë 53 milionë dollarë.

Ai mundi të siguronte vetëm 200 respiratorë, ndërkohë që kishte marrë paradhënie nga qeveria polake 42 milion dollarë.

Qeveria polake i kërkoi të kthente 16 milionë dollarë, gjë të cilën ai e bëri, por jo pjesën tjetër,  pasi sipas tij kishte paguar për prodhuesit e respiratorëve.

Hetimet nisën në pranverën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë. Pas situatës së rëndë me vdekjet masive për shkak të sëmundjes, si rezultat i aksesit të respiratorëve, Ministria e Shëndetësisë Polake, e drejtuar në atë kohë nga Łukasz Szumowski, nënshkroi një kontratë me kompaninë Lublin E&K, që mbulonte furnizimin për 1200 respiratorë “më të cilësisë më të lartë”.

Për çmimin e një pajisjeje të tillë, ishte një kontratë shumë e shtrenjtë, por që duhej të zbatohej shpejt.

Ministria pagoi një paradhënie të madhe dhe respiratorët e parë do të dorëzoheshin në spitalet polake në prill dhe sasia e fundit në qershor 2020 nuk shkuan.

Zyrtarët polakë që dhanë dorëheqjen dhe Izdebski

Dorëheqja e zyrtarëve polakë

Ndërkohë, shumë shpejt u bë e qartë se kompania E&K ishte në pronësi të Andrzej Izdebski ishte një tregtar armësh me përvojë.

Mediat përcaktuan se ai ishte i përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe OKB-ja e kishte futur në një “listë të zezë” për kontrabandën e armëve në Angola dhe Liberi.

Pyetjes pse Polonia  bleu respiratorë nga një kompani në pronësi të një tregtari armësh, Ministria e Shëndetësisë polake u përgjigj atëherë se E&K është një subjekt që funksionon ligjërisht.

Ministria shtoi se nuk kontrollon profilin e biznesit të kompanive që paraqesin oferta për blerjet me COVID.

Në kulmin e debateve politike në Poloni, si pasojë e këtij skandali, dhanë dorëheqjen ministri dhe zëvendës ministri i Shëndetësisë, të cilët nënshkruan kontratën.

Misteri për vdekjen

Interesat miliona dollarëshe, kontaktet me shërbimet sekrete dhe mafien, është arsyeja e vdekjes së supozuar Izdebskit.

Vdekja e tij në fakt ngre gjithnjë e më shumë pikëpyetje. Ekspertët e bëjnë të qartë se çështja është misterioze.

“Gjëja e parë që më erdhi në mendje, është se kjo vdekje mund të mos jetë plotësisht e vërtetë”, thotë për “Fakt”, Robert Cheda, një ish-analist i Agjencisë së Inteligjencës.

Izdebski ishte nën kontrollin e shërbimeve polake të sigurisë dhe lajmi se ai ka humbur jetën në Tiranë, ka ngjallur dyshime te disa njerëz.

Sipas mediave polake, Shqipëria dhe disa nga shtetet fqinje të Ballkanit janë parë prej vitesh si një vend ku mbizotëron krimi i organizuar.

Sipas Robert Cheda, një ish-analist i Inteligjencës së Jashtme, lajmi për vdekjen e një tregtari armësh është i dyshimtë

Dhe pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të këtyre vendeve, pak mund të bëhet për këtë.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që një njeri si Andreë u gjend në Tiranë – një vend që pak evropianë të nivelit të tij si tregtar armësh e zgjedhin si destinacion.

Sikur të mos mjaftonte kjo, eksperti ngre dyshime se vendi në fakt është krijuar për t’u marrë me biznes të paligjshëm.

“Këto janë shoqëri klanore dhe është jashtëzakonisht e lehtë të falsifikosh vdekjen në mënyrë korruptive. Nuk duhet të jetë një arratisje në Amerikën e Jugut, mund të jetë thjesht një arratisje në Ballkan. Gjëja e parë që më erdhi në mendje, është se kjo vdekje mund të mos jetë plotësisht e vërtetë”, – thotë Cheda.

Dyshimet e ekspertit

Tashmë prokurorët kanë njoftuar se do të përcaktojnë nëse informacioni për vdekjen e pretenduar të Andrzej është i vërtetë.

“Por pa mbështetjen e duhur të palës shqiptare, mbërritja tek e vëtrteta mund të jetë e vështirë, në mos e pamundur. Për momentin prova e vetme është certifikata e vdekjes dhe informacioni i policisë shqiptare për gjetjen e trupit, – vijon ai. – Dhe ne nuk do të arrijmë shpejt tek e vërteta, nëse dikush është i interesuar për të. Gjithçka varet nga shkalla e përdorimit politik në vendin tonë, që mund të jetë një peng i kësaj makinerie”, – vlerëson Robert Cheda.

Dhe në të njëjtën kohë, ai shpjegon se për të arritur të vërtetën, do të ishte i nevojshëm presioni politik në një nivel vërtet të lartë.

Eksperti nuk përjashton që në të gjithë projektin të përfshihen edhe shërbime speciale.

“Nëse dikush tregton armë në Poloni, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë pa mbrojtjen e shërbimeve. Ai duhet të ketë pasur një lloj ombrellë mbrojtëse. Në vendin tonë inteligjenca ushtarake është marrë gjithmonë me tregtinë e armëve. Aj vuri duart në të gjitha transaksionet e tilla. Dhe kështu ka ndodhur që nga mesi i viteve 1980”, thotë Robert Cheda.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë