Gazeta Si – Meksikani fitoi në Baku dhe u konfirmua si një pilot që përshtatet shumë mirë me cirkuitet në qytet. Në moshën 33-vjeçare dhe me 239 gara të zhvilluara, është në kulmin e karrierës. Drejton makinën më të mirë dhe ëndërron të rivalizojë për titullin kampion me shokun e skuadrës, Maks Vershtapen.
Po të mos kishte qenë ai defekt i frenave, që e nxori jashtë piste në kualifikueset e Melburnit, duke e detyruar të niset nga fundi, me shumë mundësi sot Serxho Perez do të ishte në krye të Botërorit të Formula 1. Ky duket sezoni më i mirë për pilotin meksikan.

Perez është futur me botën e garave me një talent të madh, por si personazh ka mbetur pak në hije, për shkak të zgjedhjeve dhe sjelljes së brendshme të skuadrave, ku ai ka qenë.
Nga pikëpamja teknike, nuk është aq i shpejtë, nuk është një ‘rrufe’, por ka një aftësi të mëadha për të administruar gomat dhe konsumimin e tyre në një mënyrë të jashtëzakonshme. Tani ‘Keko’, pas më shumë se 10 vitesh në F.1 dhe 239 garash, duket se ka pjekurinë e duhur për të qenë i shpejtë dhe grintoz vetëm kur duhet.
E ndihmon shumë një Red Bull i jashtëzakonshëm, por ndihmon edhe ai vetë, bashkë me teknikët, për të bërë zgjedhjet më të mirë gjatë fundjavës. Deri tani ky bashkëpunim ka dhënë rezultat shumë të mirë.
Në fillim të sezonit Kris Horner, drejtuesi kryesor i Red Bull-it, ka bërë me dije projekti i makinës së re ishte bërë edhe për të ndihmuar mënyrën e garimit të meksikanit, shumë e ndryshme nga ajo e shokut të skuadrës, Maks Vershtapen.
U mendua se Horner e bëri atë deklaratë për të motivuar pilotin e dytë të skuderisë, por Perez po ecën shumë mirë dhe po fiton më shpesh se zakonisht. Ndoshta herët a vonë kampioni i botës do të shkëputet në krye, por deri në këtë moment Perez është i vetmi në gjendje të mbajë interesin për këtë Botëror, ku supremacia teknike e një skuadre u pa që në garën e parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



