Lojëra me Dore

Mbreti Alkaraz ngjitet në fron, dominon finalen e Nju Jorkut ndaj Rud

Gazeta Si – Karlos Alkaraz është mbreti i ri i tenisit, kampion i freskët Slam. Në moshën 19-vjeçare, spanjolli hyn në histori, duke u bërë lojtari më i ri në moshë numri 1 në botë në 49 vitet e fundit, që kur ekziston klasifikimi i kompjuterizuar.

Mbi të gjitha, me Slam-in e parë të karrierës, Alkaraz hap përfundimisht një erë të re të tenisit botëror. Atë të ‘UltraNext Gen’, që fiton turnetë më të mëdha, një arritje e paplotësuar në erën e ‘Big3’. Spanjolli mundi 3-1 në finalen e Us Open norvegjezin Kasper Rud.

Nxënësi i Huan Karlos Ferrero, që pikërisht në Nju Jork në 2003-shin u bë numri 1 në botë, ndoqi në mënyrë perfekte planin e tij. Alkaraz fitoi bindshëm ndaj Kasper Rud në 4 sete, 6-4, 2-6 7-6 dhe 6-3.

Në setin e parë spanjolli ishte mjaft i karikuar dhe fitoi 6-4, në të dytin norvegjezi barazoi rezultatin, duke fituar 2-6. Në fillim të setit të tretë situata shkoi në favor të Alkarazit, i cili duk shumë i çlirët. Por Rud, shumë i rrezikshëm teknikisht, baraspeshoi lojën.

Adrenalina e djaloshit nga Murcia bëri që të triumfonte në këtë set. Në setin e 4-t ishte vendimtar ‘break’-u në gejmin e 6-ët. Alkaraz është mbreti i ri i tenisit, i celebruar edhe nga Real Madrid me një postim në Tuiter.

“Për mua është realizuar një ëndërr që kisha që fëmijë, të fitoja një Slam dhe të isha numri 1 në botë. E kam të vështirë të flas, kam shumë emocione. I detyrohem shumë familjes sime për rrugëtimin që kam bërë, për vendimet e marra nga prindërit dhe trajnerët. Lotët? Ishin për mamanë time që nuk është këtu dhe për gjyshin tim”, – tha Alkaraz pas fitores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë