Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Giles Portman, drejtorin për Europë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. Portman vuri theksin tek zhvillimet e fundit politike në vend dhe tha se ato paraqesin një kthesë për zhvillime të reja. Ndërsa Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës që prej periudhës së luftës, duke përfshirë angazhimin në kuadër të NATO-së, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që nga shpallja e pavarësisë. Ajo tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet një prej partnerëve dhe aleatëve më strategjik për Kosovën. Më tej, Osmani theksoi që institucionet e vendit janë të gatshme të angazhohen në hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe fuqizimin e atyre ekzistues, gjersa ka vënë theks të veçantë tek fusha e sundimit të ligjit, mbrojtjes, sigurisë, shkëmbimeve tregtare, arsimit, si dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e agjendës së gjelbër. Ajo shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim, teksa Portman ritheksoi se Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e plotë e të ardhmes së Republikës së Kosovës në NATO, gjë që do të kontribuojë në stabilitet dhe siguri në rajon dhe më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




