Motosport

Mbret në shtëpi, Vershtapen bën garën perfekte dhe kalon Hemiltonin në renditje

Fitore me vlera të dyfishta për Maks Vershtapen. Piloti holandez ka triumfuar para mijëra fansave të tij në Çmimin e Madh të Holandës dhe ka marrë sërish kryesimin e Botërorit të Formulës 1. Tifozët në pistën e Zandvort (e rikthyer në kalendarin e F1 pas 35 vitesh), e ngjyrosur e gjitha portokalli, kanë kaluar në delir për fitoren e idhullit të tyre.

Vershtapen, pas garave të Silverston dhe Hungaroring, kishte marrë një goditje të fortë, por me kalimin e verës ai ka reaguar, së pari në pistën e Spa, me fitoren e çuditshme pas “Safety Car”, dhe sot në Zandvort. Ishte një garë e vërtetë me rivalin Hemilton, e dominuar nga xhiroja e parë tek e fundit nga holandezi, i cili nuk i la asnjë mundësi anglezit. Gjithsesi, kampioni i botës i limitoi dëmet, duke zënë vendin e dytë, që e mban aty, 3 pikë pas rivalit të tij.

Në vend të tretë ka dalë Valteri Botas, para AlphaTauri të Pierr Gaslit. Më pas Ferrari i Sharl Leklerk, Alpine e Fernando Alonsos dhe Ferrari tjetër i Karlos Sainz. Skuderia italiane ka fituar pikë në klasifikimin e konstruktorëve ndaj MekLarenit.

Gara nisi me frikën e ndonjë kontakti që në kthesën e parë, sepse rreziku ishte konkret, por në fakt gjithçka shkoi mirë, me Vershtapenin që u tregua i zoti për të mbajtur prapa Hemiltonin, Botasin dhe Gaslin. Holandezi më pas tentoi shkëputjen nga Hemilton dhe Botas, me finlandezin që mbeti prapa xhiro pas xhiroje. Hemilton tentoi deri në fund për ta parakaluar holandezin, por pa mundur ta bëjë një gjë të tillë dhe tashmë e ka dorëzuar kreun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë