Futboll

Mbrëmja e Kupës, Vllaznia luan sezonin në finalen me Laçin

Gazeta Si – Vllaznia-Laçi është finalja e Kupës së Shqipërisë, që luhet sot, në orën 19:00, në “Air Albania”. Në lojë është një trofe, por edhe një vend në Kupat e Europës.

Vllaznia, fituese e Kupës sezonin e kaluar, duhet të fitojë patjetër për të shkuar në Europë. Në të kundërt, me fitoren e Laçit do të festonte edhe… Kukësi.

Laçi e ka siguruar Europën nëpërmjet vendit të dytë në kampionat. Nëse fiton edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë do t’i një nder edhe Kukësit, që e ka mbyllur kampionatin në vend të 4-t dhe në këtë rast do të përfitonte.

Finalja e Kupes, Vllaznia-Laçi. Gazeta Si, 31 maj 2022

Shkodranët e kanë në dorë fatin e tyre. Në finale e sotme të Kupës ata do të shkarkojnë të gjitha ‘bateritë’ për të shpëtuar sezonin. Javët e fundit të kampionatit Vllaznia nuk pati formën e duhur, por sot gjithçka ndryshon.

Në stola janë dy trajnerë me shumë përvojë. Mirel Josa, që gjatë sezonit drejtoi Laçin, tani është në krye të Vllaznisë. Kurbinasit drejtohen nga Shpëtim Duro.

Është një ndeshje me shumë përgjegjësi kjo e Kupës për Vllazninë. Presioni kuptohet që është më i madh te kjo skuadër. Një ndeshje të tillë e zgjidhin individualitetet dhe episodet. Edhe fati ka pjesën e vet, sigurisht.

Vetëm fusha e “Air Albanias” do të tregojë, nëse trofeu i Kupës së Shqipërisë do të shkojë sërish në Shkodër, apo në Laç. Kukësi ndërkohë shpreson, duke bërë tifo për Laçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë