Futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj, e nisi titullar ndeshjen e Kupës së Italisë me Atalantën, por pas 42 minutash la fushën për shkak dëmtimi. Mediet sportive në Itali bëjnë me dije se mbrojtësi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës në kampionat me Juventusin, që luhet ditën e shtunë.
Hysaj ka kryer sot analizat e nevojshme dhe ka rezultuar një tërheqje e gradës së parë e muskulit në këmbën e majtë. Ai ka nisur tashmë fazën e riaftësimit, por në fundjavë trajneri Gatuzo nuk do ta ketë në dispozicion. Të mërkurën në mbrëmje Hysaj luajti në të majtë të mbrojtjes dhe para se dëmtohej u ndëshkua me karton të verdhë për një faull të kryer në një dyluftim shpejtësie.
Ishte vërtet një mbrëmje e keqe për mbrojtësin shkodran, i sulmuar në rrjetet sociale edhe nga tifozët e Napolit. Në momentin e daljes nga fusha ai refuzoi t’i jepte dorën Rrahmanit dhe ky gjest nuk u ka pëlqyer aspak tifzëve napoletanë. Dëmtimi nuk është i rëndë dhe nuk mendohet të ketë probleme për Hysajn sa u takon ndeshjeve të Kombëtares në mars, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.