Futboll

Mbrëmja e Benzema, ‘Topi i Artë’ për të shenjtëruar Mbretin Karim

Gazeta Si – Mbrëmjen e sotme do të jepet çmimi prestigjioz individual nga ‘France Football’. Mesi, Nejmar dhe Mbape nuk do të jenë prezentë në ceremoninë e kurorëzimit të Benzema.

Pas më shumë se një viti ka ndryshuar gjithçka për Karim Benzema, i cili kaloi nga statusi i të dëbuarit në vendin e tij, në Mbretin e futbollit botëror. “Topi i Artë” pritet t’i dorëzohet atij nga Zinedin Zidan, francezi i fundit që e ka fituar këtë çmim në 1998-ën.

Karim Benzema feston një gol. Gazeta Si, 17 tetor 2022

Një çmim që i ka shpëtuar Kilian Mbape, i cili madje ka rënë poshtë 5-shes së parë dhe për këtë fakt ka evituar praninë e tij në ceremoninë e Parisit. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe Mesi dhe Nejmar, jashtë listës së 30 kandidatëve. Mungon edhe presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi, për të mos i dhënë kënaqësi të urryerit Florentino Perez.

Benzemasë pritet t’i bashkohen në një radhë ende të paqartë bomberi Levandovski, madrileni tjetër Vinicius, Mane dhe Salah, të cilët u mundën nga Reali në finalen e Championsit.

Trofeu i ka ikur sërish klubit të emirit të Katarit. Ishte një sezon për t’u harruar nga parisienët. Me rregulloren e re nuk votohet më për vitin kalendarik, por për atë sportiv. Qëllimi është për t’i dhënë koherencë rregullores dhe për të evituar emrat e përhershëm.

‘Diktatura’ e Mesit, i vlerësuar mes polemikash vitin e kaluar, dhe Ronaldos që është futur në mënyrë surprizë në listën e 30 kandidatëve, është mbyllur zyrtarisht. Për të risjellë pak demokraci ka menduar Benzema, pasuesi i CR7 te Reali.

U pa në pranverë, kur në Ligën e Kampionëve u bë lider i madrilenëve me përmbysje të pabesueshme. Duke nisur nga ajo me PSG-në, favorite e fortë. Realit i mjaftoi një Benzema në pikun e karrierës, elegant dhe i pamëshirshëm, që e mbylli sezonin si shënuesi më i mirë La Ligës dhe Championsit, ku gjunjëzoi Çelsin, Sitin dhe në finale Liverpulin.

Për Benzema kanë vlerë edhe pikët e mbledhura nga paraqitja me Francën, me të cilën fitoi Ligën e Kombeve. Ai rregulloi edhe marrëdhënien me patriotët që i falën dhe dënimin me burg me kusht, pasi u përfshi në tentativën e shantazhit për ish-kolegun Valbuena. Një çështje që i kushtoi 5 vjet jashtë kombëtares franceze, para se të kthehej protagonist dhe të shenjtërohet më në fund Mbret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë