Nga Gazeta Si- Luis Meçi, 14-vjeçari i plagosur në sherrin ku mbeti i vrarë shoku i tij Martin Cani, vijon të jetë në spital. Pak ditë më parë, babai i tij deklaroi për mediat se goditjet që ka pësuar janë shumë të thella dhe djali për momentin ka nevojë për fizioterapi, shërbim që sipas tij po i sigurohet në mënyrë private pasi nga spitali nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme.
Por këto shërbime spitalore ata kanë hapur një llogari në GoFundMe ku deri më tani janë mbledhur mbi 71 mijë euro, nga 80 mijë që janë kërkuar.
Në apel shkruhet:
“Përshëndetje, unë jam Luis Meçja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj për t’u pranuar. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund të shihni historinë time në Facebook, Instagram, lajmet se çfarë më kanë bërë dy personat me thika, një masakër”.
Disa ditë më pas ka reaguar edhe spitali i “Traumës” duke hedhur poshtë pretendimet e familjes së Luisit.
“Nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës "Fan Noli", dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme”, shkruhet në reagimin zyrtar të spitalit.
Gjithashtu, në reagim thuhet se përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët.
“Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14-vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës”, shton spitali, referuar edhe deklaratave të babait të Luis Meçes që tregon se i biri ka marrë plagë të rënda në mëlçi dhe ka nevojë për shërbim shëndetësor jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.